NJOFTIM PËR BURSAT E ARSIMIT TË MESËM PARAUNIVERSITAR PROFESIONAL PËR VITIN SHKOLLOR 2026 -2027/ KRITERET DHE AFATI I DORËZIMIT TË DOKUMENTACIONIT

Në zbatim të, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.666 datë 10.10.2019  “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin  e kritereve për përfitimin  e bursave  e të  pagesave  për nxënësit  e Arsimit  Parauniversitar, si dhe format e tjera të përkujdesjes ndaj kategorive të vecanta  në Institucionet Arsimore Parauniversitare Publike” të ndryshuar, me qëllim që çdo fëmijë / nxënës të mund të jetë i vlerësuar, të regjistrohet dhe të ndjekë arsimin në institucione arsimore parauniversitare publike në vitin shkollorë 2026-2027 në arritjen e qëllimit, ka planifikuar bursa për nxënësit e arsimit parauniversitarë.

 

Mbështetur në kriteret e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.666, datë 10.10.2019, të ndryshuar, përfitojnë bursë:

 

  1. Nxënësit,të cilët ndjekin studimet në institucionin arsimorë publikë të arsimit parauniversitarë ,mund të perfitojnë bursa dhe përfitime të tjera , të parashikuara në këtë vendim , nga buxheti vjetor i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për arsimin profesional.
  2. Nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, përfitojnë bursë brënda kuotave dhe kritereve , si më poshtë vijon :

 

2.1 Kriteri ekonomik:

a) nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët ndjekin procesin mësimor në largësinë mbi 5km nga vendbanimi i përheshëm i tyre, qe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe që akomodohen në konvikte publike. (Për nxënësit në arsimin profesional nuk zbatohet kushti i akomodimit në konvikte publike)

b)nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjecare brënda rrezes prej 5 km ,të cilët plotësojnë kriterin ekonomik,  sipas pasqyrës nr1 , dhe që akomodohen ne konvikte publike.

c) nxënësit, femijë të familjeve në nevojë, që janë regjistruar në arsimin bazë, por në pamundësi financiare, nuk ndjekin arsimin bazë.

 

2.2 Kriteri i rezultateve te arritura

Nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me notën mesatare 9(nënte) deri në 10 (dhjetë).

 

2.3 Kriteri joekonomik:

a) nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit,

b) nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendime gjykate të formës së prerë,

c) nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe nxënësit me aftësi te kufizuara, të vërtetuar nga komisioni mjekoligjor.

ç) nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë

d) nxënësit, femijë të personit / personave që gëzojnë statusin e invalidit

dh) nxënësit e pakicës kombëtare rome dhe egjiptiane , të cilët regjistrohen  dhe ndjekin arsimin  e mesëm profesional                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                           

e) nxënësit të cilët janë indentifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qënieve njërëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror,

ë) nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brëndshëm, te Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë të Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në kryje dhe për shkak  të detyrës.

f) nxënëset (vajza) të cilat ndjekin drejtimet mësimore mekanikë , elektroteknikë , elektronikë, përpunim druri ,  gjeodezi ,  shërbim mjete transporti , termo- hidraulikë.

g) nxënësit me një prind, kur njëri prej prindërve nuk jeton.

gj) nxënëset , të cilat regjistrohen në arsimin profesional në të gjitha drejtimet mësimore, , përjashtuar ato që  përfitojnë  nga shkronja ”f ”, e këtij vendimi , trajtohen me 50% të  bursës.

 

2.4 Kriteri i degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm:

 

a) nxënësit, të cilët ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në drejtimet mësimore bujqësi , veterinari , pyje, ndërtim ,peshkim, detari , gjeologji – miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.

 

 

 

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të mësipërm do të jetë data 10.11.2026.

 

 

   Dorëzimi i dokumentacionit do të bëhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Integrimit, Politikave Sociale dhe Informimit, Sektori i Zhvillimit Ekonomik, Promovimit, Rinisë dhe Turizmit, Bashkia Lushnje.

 

Subvencionimi i qerasë / Bashkia Lushnje hap aplikimet

NJOFTIM

 

Bashkia Lushnje në kuadër të programeve sociale të strehimit, konkretisht programit të subvencionimit të qirasë, në përputhje me proçedurat administrativo-ligjore të parashikuara në ligjin nr.22/2018 “Për strehimin social”, VKM nr.384, datë 12.06.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo program social të strehimit, dhe afateve e proçedurave të miratimit nga organet e qeverisjes vendore”, VKM nr. 459, datë 03.07.2019 ” Për rregullat për administrimin e kërkesave të njësive të vetëqeverisjes vendore për fonde nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirasë ose uzufruktit, mënyrën e financimit të subvencionit, monitorimin dhe bashkëpunimin ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin”, VKM nr. 362, datë 29.05.2019 “Për kriteret e dhënies së subvencionit të qirasë për kategoritë që gëzojnë përparësi në subvencionimin e qirasë në tregun e lirë, nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe mënyrën e llogaritjes së tij” si dhe VKM nr.301, datë 15.04.2021, “Për normat e strehimit”.

 

Njofton të gjithë të interesuarit të depozitojnë kërkesën e tyre dhe dokumentacionin ligjor si më poshtë vijon:

 

  • Fotokopje e kartave te identitetit
  • Çertifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile;
  • Certifikatë familjare;
  • Vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social,
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
  • Vërtetimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës qe aplikanti apo cdo pjesëtar tjetër i familjes në moshë madhore nuk ka aplikuar për legalizim banese.
  • Akt Verifikim nga njësia vendore për: – banesat në rrezik shembjeje; – rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore; – banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
  • Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
  • Akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
  • Vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
  • Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
  • Vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
  • Dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
  • Urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
  • Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
  • Vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
  • Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
  • Vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
  • Dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e punesuar dhe te vetëpunësuar të familjes;
  • Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
  • Vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
  • Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension
  • Kontrata e qerasë me afat 1-vjeçar (duhet të jetë e noterizuar).

 

Dokumentat duhet të jenë të lëshuar brenda 3 muajve të fundit nga momenti që qytetari bën aplikimin/ rifreskimin e dokumentacionit.

 

Dokumentacioni i sipërcituar plotësohet duke aplikuar ne sistemin e.albania ne Bashki deri në datën 30.11.2026

 

Dëmtimi faunës në rezervuarin e Kasharajt/ Bashkia Lushnjë kallëzim penal për firmën që po rehabiliton digën

Bashkia Lushnjë, pas verifikimit paraprak të informacioneve të lidhura me situatën në rezervuarin e Kasharajt, vendosi të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjore me qëllim zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe evidentimin e personit/personave që “prodhuan” problematikën serioze të ngordhjes së peshqëve në këtë rezervuar.

 

Bashkia Lushnjë kallëzoi penalisht pranë Prokurorisë Fier, bashkimin e kompanive që kanë fituar të drejtën për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit në rezervuarin e Kasharajt. Kallëzimi penal u bë pasi gjatë punës për rikonstruksionin e digës së dëmtuar të rezervuarit, firma që po kryen këto punime nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e  ujërave të rezervuarit, duke sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të faunës dhe të mjedisit në këtë ujëmbledhës. Në bazë të kontratës, pas ndërprerjes së punimeve (kërkuar nga vetë firma) në 9 shkurt të këtij viti, bashkimi i dy kompanive që po rehabilitojnë digën e rezervuarit, duhet të kishte njoftuar institucionet publike dhe vecanërisht Bashkinë Lushnjë për rinisjen e punimeve në shtator, gjë e cila nuk ka ndodhur!

 

Bashkia Lushnjë mirëkupton sensibilitetin publik të ngjarjes dhe shpreson që organet ligjore ta zbardhin atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Tur Përkujtimor në kujtim të viktimave të internimit në Lushnjë/ Begaj, Sefa dhe Sula: “Kujtesa, detyrim për shoqërinë”

Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, bëri bashkë në Lushnjë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Kryetaren e Bashkisë së Lushnjes, znj. Eriselda Sefa si dhe drejtuesen e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, znj. Gentiana Sula.

 

Ata vendosën kurora me lule në Memorialin e Përndjekjes Politike në Lushnje e gjithashtu vizituan barakat e kampit në Savër (Lushnjë), një nga qendrat më të mëdha të internimit në Shqipëri.

Në prani të ish-të internuarve, ish-të përndjekurve politikë, familjarëve të viktimave të internimit, studiuesve dhe shkrimtarëve, Presidenti i Republikës u shpreh se kujtesa është detyrim për shoqërinë shqiptare, pasi dëshmon qëndresën dhe dinjitetin e burrave dhe grave që sfiduan regjimin dhe përballuan padrejtësitë absurde të sistemit.

“Ajo që na mbledh bashkë sot nuk është vetëm një vështrim përkujtimor prapa në kohë. Është, mbi të gjitha, një detyrim ndaj të sotmes dhe një përgjegjësi për të ardhmen, ndaj fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë, për të mos harruar. Koha ikën, koha nuk pret. Dëshmitarët po pakësohen, gjurmët fizike po degradojnë dhe kujtesa e drejtpërdrejtë po bëhet gjithnjë e më e brishtë. Prandaj duhet të veprojmë: të mbledhim dëshmitë, të ruajmë fotografitë, të digjitalizojmë dokumentet, të shënojmë dhe të mbrojmë vendet e vuajtjes dhe ta bëjmë këtë histori pjesë të edukimit të brezave të rinj. Kujtesa ka nevojë jo vetëm për përvjetorë dhe ceremoni si kjo, por për institucione që e ruajnë atë çdo ditë”.

 

 

Ndërsa kryebashkiakja e Lushnjës, Znj.Eriselda Sefa tha në fjalën e saj të rastit se ish-kampet e detyruara të punës janë një nga dëshmitë më të dhimbshme të historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri.

 

“Ato nuk duhet të shihen vetëm si hapësira fizike, si baraka, kanale, fusha apo ndërtesa të vjetra. Pas çdo objekti e godine ka një histori. Pas çdo familjeje ka një kujtim. Pas çdo vendi ka një njeri.Savra dhe kampet e tjera të Myzeqesë janë pjesë e kësaj historie.Njerëz të dënuar me internim u sollën në këto zona dhe u detyruan të jetonin në kushte të vështira. Puna e rëndë, varfëria, kufizimi i lirisë dhe stigma shoqërore prekën jo vetëm individin, por familje të tëra.Dhe këtu duhet të ndalemi te një e vërtetë shumë e rëndësishme:Fëmijët e atyre familjeve nuk kishin zgjedhur asgjë.Ata lindën në internim. U rritën në internim. Shkuan në shkollë me një mbiemër që shpesh u bë pengesë për jetën e tyre. Mbartën pasojat e një historie që nuk e kishin shkaktuar vetë.Prandaj, kur flasim për kampet e internimit, nuk duhet të flasim vetëm për politikën e kohës. Duhet të flasim për dinjitetin njerëzor. Sot, shumë prej këtyre vendeve janë duke u zhdukur nga kujtesa fizike. Barakat prishen, gjurmët humbasin dhe brezat që i kanë përjetuar këto ngjarje po pakësohen.”

 

Znj.Sefa tha se kujtesa duhet ruajtur jo për të hapur plagë të reja, apo për të krijuar urrejtje, por për për të kuptuar se çfarë ndodh kur liria, dinjiteti dhe të drejtat e njeriut mohohen.

 

“Një muze i ish-kampit të detyruar të punës nuk do të ishte thjesht një ndërtesë me objekte të vjetra. Do të ishte një hapësirë dëshmie. Aty mund të ruhen fotografi, dokumente, objekte personale, rrëfime të të internuarve, harta të kampeve dhe dëshmi të jetës së përditshme. Por mbi të gjitha, aty duhet të dëgjohet zëri i njerëzve. Sepse dokumenti na tregon çfarë ka ndodhur. Objekti na tregon si ka ndodhur. Por dëshmia njerëzore na tregon çfarë ka ndjerë njeriu. Dhe kjo është arsyeja pse ruajtja e këtyre vendeve është një detyrim historik. Ne kemi nevojë që brezi i ri të vijë këtu dhe të pyesë: Pse ndodhi kjo? Si mund të ndodhte? Dhe çfarë duhet të bëjmë që të mos përsëritet më kurrë? Ky është qëllimi i vërtetë i kujtesës. Sepse një muze nuk është vetëm një vend ku shohim të kaluarën, por eshte një vend ku mësojmë të ardhmen.”

 

Mbi 3 mijë persona u internuan në Lushnjë gjatë viteve 1950–1990. Sipas Gentiana Sulës, kryetare e Autoritetit të Dosjeve, internimi pa gjyq la pasoja te breza të tërë. Ajo ngriti edhe shqetësimin për fëmijët nën 15 vjeç të lindur apo rritur në internim, të cilët nuk përfitojnë statusin e të përndjekurit politik.

 

“Janë tema të paprekur internimet e viteve ’50. Autoriteti ka identifikuar të gjitha fshatrat që janë përdorur për kampe pune të detyruar. Fondi i banimit ka përgatitur një listë të gjithë të internuarve të zonës së Lushnjës, ku janë rreth 3 mijë persona. Pra, pas 24 vjetësh në demokraci, jeta ndryshoi, por jo për të gjithë. Ne kemi plot raste që na i sjellin vazhdimisht. Fëmijët nuk i përfitojnë dot për dënimet dhe këto të fundit, të themi, që kanë bërë, ngelen pa marrë atë që meritojnë nga shteti.”

 

 

Ish-të internuar dhe familjarë të tyre, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, vizituan disa zona të Lushnjës, Savrën, Plugun, Gjazën, ish-burgun e grave në Kosovë të Madhe dhe vende të tjera që dikur shërbyen për internimin e kundërshtarëve të regjimit dhe familjeve të tyre.Pjesë e aktiviteteve të organizuara ishte edhe ekspozitën fotografike “Dinjiteti përballë Totalitarizmit”, e cila dokumentonte jetën në internim.