Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, bëri bashkë në Lushnjë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Kryetaren e Bashkisë së Lushnjes, znj. Eriselda Sefa si dhe drejtuesen e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, znj. Gentiana Sula.
Ata vendosën kurora me lule në Memorialin e Përndjekjes Politike në Lushnje e gjithashtu vizituan barakat e kampit në Savër (Lushnjë), një nga qendrat më të mëdha të internimit në Shqipëri.
Në prani të ish-të internuarve, ish-të përndjekurve politikë, familjarëve të viktimave të internimit, studiuesve dhe shkrimtarëve, Presidenti i Republikës u shpreh se kujtesa është detyrim për shoqërinë shqiptare, pasi dëshmon qëndresën dhe dinjitetin e burrave dhe grave që sfiduan regjimin dhe përballuan padrejtësitë absurde të sistemit.
“Ajo që na mbledh bashkë sot nuk është vetëm një vështrim përkujtimor prapa në kohë. Është, mbi të gjitha, një detyrim ndaj të sotmes dhe një përgjegjësi për të ardhmen, ndaj fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë, për të mos harruar. Koha ikën, koha nuk pret. Dëshmitarët po pakësohen, gjurmët fizike po degradojnë dhe kujtesa e drejtpërdrejtë po bëhet gjithnjë e më e brishtë. Prandaj duhet të veprojmë: të mbledhim dëshmitë, të ruajmë fotografitë, të digjitalizojmë dokumentet, të shënojmë dhe të mbrojmë vendet e vuajtjes dhe ta bëjmë këtë histori pjesë të edukimit të brezave të rinj. Kujtesa ka nevojë jo vetëm për përvjetorë dhe ceremoni si kjo, por për institucione që e ruajnë atë çdo ditë”.
Ndërsa kryebashkiakja e Lushnjës, Znj.Eriselda Sefa tha në fjalën e saj të rastit se ish-kampet e detyruara të punës janë një nga dëshmitë më të dhimbshme të historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri.
“Ato nuk duhet të shihen vetëm si hapësira fizike, si baraka, kanale, fusha apo ndërtesa të vjetra. Pas çdo objekti e godine ka një histori. Pas çdo familjeje ka një kujtim. Pas çdo vendi ka një njeri.Savra dhe kampet e tjera të Myzeqesë janë pjesë e kësaj historie.Njerëz të dënuar me internim u sollën në këto zona dhe u detyruan të jetonin në kushte të vështira. Puna e rëndë, varfëria, kufizimi i lirisë dhe stigma shoqërore prekën jo vetëm individin, por familje të tëra.Dhe këtu duhet të ndalemi te një e vërtetë shumë e rëndësishme:Fëmijët e atyre familjeve nuk kishin zgjedhur asgjë.Ata lindën në internim. U rritën në internim. Shkuan në shkollë me një mbiemër që shpesh u bë pengesë për jetën e tyre. Mbartën pasojat e një historie që nuk e kishin shkaktuar vetë.Prandaj, kur flasim për kampet e internimit, nuk duhet të flasim vetëm për politikën e kohës. Duhet të flasim për dinjitetin njerëzor. Sot, shumë prej këtyre vendeve janë duke u zhdukur nga kujtesa fizike. Barakat prishen, gjurmët humbasin dhe brezat që i kanë përjetuar këto ngjarje po pakësohen.”
Znj.Sefa tha se kujtesa duhet ruajtur jo për të hapur plagë të reja, apo për të krijuar urrejtje, por për për të kuptuar se çfarë ndodh kur liria, dinjiteti dhe të drejtat e njeriut mohohen.
“Një muze i ish-kampit të detyruar të punës nuk do të ishte thjesht një ndërtesë me objekte të vjetra. Do të ishte një hapësirë dëshmie. Aty mund të ruhen fotografi, dokumente, objekte personale, rrëfime të të internuarve, harta të kampeve dhe dëshmi të jetës së përditshme. Por mbi të gjitha, aty duhet të dëgjohet zëri i njerëzve. Sepse dokumenti na tregon çfarë ka ndodhur. Objekti na tregon si ka ndodhur. Por dëshmia njerëzore na tregon çfarë ka ndjerë njeriu. Dhe kjo është arsyeja pse ruajtja e këtyre vendeve është një detyrim historik. Ne kemi nevojë që brezi i ri të vijë këtu dhe të pyesë: Pse ndodhi kjo? Si mund të ndodhte? Dhe çfarë duhet të bëjmë që të mos përsëritet më kurrë? Ky është qëllimi i vërtetë i kujtesës. Sepse një muze nuk është vetëm një vend ku shohim të kaluarën, por eshte një vend ku mësojmë të ardhmen.”
Mbi 3 mijë persona u internuan në Lushnjë gjatë viteve 1950–1990. Sipas Gentiana Sulës, kryetare e Autoritetit të Dosjeve, internimi pa gjyq la pasoja te breza të tërë. Ajo ngriti edhe shqetësimin për fëmijët nën 15 vjeç të lindur apo rritur në internim, të cilët nuk përfitojnë statusin e të përndjekurit politik.
“Janë tema të paprekur internimet e viteve ’50. Autoriteti ka identifikuar të gjitha fshatrat që janë përdorur për kampe pune të detyruar. Fondi i banimit ka përgatitur një listë të gjithë të internuarve të zonës së Lushnjës, ku janë rreth 3 mijë persona. Pra, pas 24 vjetësh në demokraci, jeta ndryshoi, por jo për të gjithë. Ne kemi plot raste që na i sjellin vazhdimisht. Fëmijët nuk i përfitojnë dot për dënimet dhe këto të fundit, të themi, që kanë bërë, ngelen pa marrë atë që meritojnë nga shteti.”
Ish-të internuar dhe familjarë të tyre, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, vizituan disa zona të Lushnjës, Savrën, Plugun, Gjazën, ish-burgun e grave në Kosovë të Madhe dhe vende të tjera që dikur shërbyen për internimin e kundërshtarëve të regjimit dhe familjeve të tyre.Pjesë e aktiviteteve të organizuara ishte edhe ekspozitën fotografike “Dinjiteti përballë Totalitarizmit”, e cila dokumentonte jetën në internim.













