Ligje dhe udhëzime për qeverisjen vendore me fokus Këshillat

  1. Hyrje

 

Qeverisja vendore në Shqipëri, përpara viteve 90, në thelb ishte një qeverisje e dekoncentruar, produkt i një sistemi politik dhe ekonomik te centralizuar, me organe të kufizuara vetëqeverisëse (këshillat popullore) brenda kuadrit të një sistemi vendimmarrës thellësisht të centralizuar, qeverisje kjo e ngarkuar për menaxhimin e zbatimit të planeve ekonomike të centralizuara dhe të detajuara të qeverisë.

Në vitet 90, sistemi u orientua drejt një modeli më të decentralizuar dhe qeverisjeje vendore autonome. Në gusht 1992 u krijuan të parat organe të qeverisjes vendore sipas Ligjit të asaj kohe mbi “Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Lokal – qershor (1992)”, që përbënte një arritje tepër të rëndësishme për kohën. Organeve vendore iu kaluan disa nga shërbimet dhe funksione me përfitim të drejtpërdrejtë për publikun, së bashku me më shumë autonomi administrative dhe financiare. Megjithatë, përkundrejt qëndrueshmërisë së autonomisë politike, autonomia fiskale dhe administrative mbeti tejet e kufizuar.

Decentralizimi ka qenë në fokus të politikave të Qeverisë duke filluar që nga vitet 1998-1999. Hapat e parë të vegjël u zbatuan kryesisht në buxhet dhe fushat fiskale. Që prej këtyre hapave të para, reforma e decentralizimit ka përparuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve 1999 dhe 2000 bazuar në Kushtetutën (1998), Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale (e ratifikuar në nëntor 1999) dhe Strategjisë Kombëtare të Decentralizimit e adoptuar në janar 2000. Ligji mbi “Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore, nr. 8652 i datës 31 korrik, 2000” është konsideruar atëherë si një hap shumë i rëndësishëm në procesin faktik të decentralizimit në Shqipëri, si një nga reformat kryesore të vendit me një influencë të rëndësishme mbi reformat e tjera si financat publike, administratën publike, shërbimet publike, arsimin, shëndetësinë dhe asistencën sociale.

Në vitin 2014, pas një procesi të gjatë konsultimesh publike me të gjithë aktorët, u realizuar një reformë thelbësore për konsolidimin administrativo-territorial, duke miratuar Ligjin nr. 115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, e cila çoi në zvogëlimin e numrit të njësive vendore nga 373 (308 komuna dhe 65 bashki)  në 61 bashki.

Reforma e Decentralizimit rivjen në vëmendje të plotë në vitin 2015 kur u hartua dhe u miratua Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020 (SNDQV).Reforma u mbështet gjithashtu nga hartimi dhe miratimi i ligjit të ri 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i cili e zgjeron më tej fushën e kompetencave me funksione të reja. Në vijim u miratua Ligji nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, duke bërë të mundur që për herë të parë vetëqeverisja vendore të ketë një ligj specifik për financat e veta.

Këto ligje e kanë riformatuar autoritetin e qeverisjes vendore në kontekstin e juridiksionit territorial, kompetencës ligjore dhe burimeve financiare.

Zbatimi i reformës së decentralizimit vendor ka synuar qartazi që të rrisë përgjegjësitë e njësive të qeverisjes vendore në shumë sektorë publikë, kryesisht shërbime, të cilat përgjithësisht pranohet se janë më efiçiente kur ato ushtrohen nga niveli qeverisës që është më afër qytetarëve.

  1. Çfarë është vetëqeverisja vendore

Vetëqeverisje vendore do të thotë e drejta dhe aftësia e autoriteteve vendore, brenda kufijve të ligjit, për të rregulluar dhe drejtuar një pjesë të konsiderueshme të çështjeve publike nën përgjegjësinë e tyre dhe në interes të popullatës vendore.

Qeveria vendore në kontekstin e Shqipërisë është një organ administrativ i cili mund të jetë një bashki apo qark i përbërë nga përfaqësuesit e zgjedhur të njerëzve që jetojnë në zonën e përcaktuar territoriale, përgjegjës për qeverisjen e zonës vendore dhe për ofrimin e shërbimeve në këtë zonë sipas përcaktimeve në ligjin e saj organik.

Ajo është konceptuar në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.

Vetëqeverisja vendore ushtron kompetencat e saj vetëm mbi territorin e saj dhe nuk mund të miratojë ose zbatojë ligje që do të ndikojnë në një zonë më të gjerë.

 

  1. Bashkia

Bashkia është njësia e vetëqeverisjes vendore e nivelit të parë, ose njësia bazë e vetëqeverisjes vendore.

Bashkia përbëhet nga 2 organe :

  • Organi përfaqësues që është Këshilli i Bashkisë
  • Organi ekzekutiv që është Kryetari i Bashkisë

Këshilli bashkiak është organi legjislativ vendor që miraton akte dhe politika përmes vendimeve, rregulloreve, urdhrave dhe rezolutave.

Organi ekzekutiv i bashkisë është kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe drejton administratën e bashkisë.

Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes, këshillat, zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.

Këshilli bashkiak rregullon dhe administron çështjet e brendshme në juridiksionin e tij në mënyrë të pavarur, ushtron të drejtën e pronës, ka të drejtë të mbledhë dhe të shpenzojë të ardhurat për ushtrimin e funksioneve, taksave, etj., Dhe për zbatimin e tyre, miraton vendime, lëshon urdhra, etj.

Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë dhe si kryetar bashkie e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse.

Organet e njësive të qeverisjes vendore kanë të drejtë të formojnë bashkime dhe institucione të përbashkëta me njëri-tjetrin për përfaqësimin e interesave të tyre, të bashkëpunojnë me njësitë vendore të vendeve të tjera, si dhe të përfaqësohen në organizatat ndërkombëtare të pushteteve vendore.

Njësitë e qeverisjes vendore janë persona juridikë. Ato kanë buxhet të pavarur.

Njësive të qeverisjes vendore mund t’u delegohen me ligj kompetenca të administratës shtetërore. Shpenzimet që kryhen për ushtrimin e delegimit, përballohen nga shteti.

Organeve të qeverisjes vendore mund t’u vihen detyrime vetëm në përputhje me ligjin ose sipas marrëveshjeve që ato lidhin. Shpenzimet që lidhen me detyrimet që u vihen me ligj organeve të qeverisjes vendore përballohen nga buxheti i shtetit.

Këshillat bashkiakë:

  1. rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre;
  2. ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike;
  3. kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre;
  4. kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre;
  5. caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin;
  6. krijojnë simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendorë të nderit;
  7. ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj.

Në lidhje me detyrat dhe kompetencat e mësipërme organet e njësive të qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra.

Sidoqoftë, korniza ligjore që përcakton funksionet, kompetencat dhe detyrat e këshillit vendor është më e gjerë.

 

  1. Qarku

Qarku është njësia e vetëqeverisjes vendore e përbërë nga disa njësi bazë të qeverisjes vendore me lidhje tradicionale, ekonomike e sociale dhe të interesave të përbashkët. Qarku është njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore.

Organi përfaqësues i qarkut është Këshilli i Qarkut.

Bashkitë delegojnë anëtarë në këshillin e qarkut në përpjesëtim me popullsinë e tyre, por për çdo rast të paktën një anëtar. Kryetarët e bashkive janë kurdoherë anëtarë të këshillit të qarkut. Anëtarët e tjerë të tij zgjidhen me lista përpjesëtimore ndër këshilltarët bashkiakë nga këshillat përkatës.

Këshilli i qarkut ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime me fuqi detyruese të përgjithshme për qarkun.

 

  1. Kuadri ligjor i vetëqeverisjes vendore

Institucionet e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri zhvillojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë sistemi i qeverisjes në Shqipëri përbëhet nga dy nivele:

  • Qeverisja qendrore
  • Vetëqeverisja vendore.

Niveli i vetëqeverisjes vendore përbëhet nga dy nën-nivele:

  • Bashkitë (61), që përbëjnë edhe njësinë bazë të vetëqeverisjes vendore
  • Këshilli i Qarkut (12), si nivel i dytë i vetëqeverisjes vendore.

Funksionet themelore të qeverisjes vendore mbështeten në

  • Kushtetutën e Shqipërisë
  • Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale
  • Ligjin nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.
    • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 13 përcakton qeverisjen vendore si një organizim institucional i cili ngrihet “në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit” dhe ushtrohet “sipas parimit të autonomisë vendore”.

Gjithashtu në nenet 108 dhe 113 të Kushtetutës, përcaktohet se:

Vetëqeverisja vendore zbatohet nga bashkitë dhe qarqet të cilat sigurojnë vetëqeverisjen në njësitë e qeverisjes vendore qe ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore.

Pas miratimit të Reformës Territoriale komunat nuk ekzistojnë më duke mbetur si institucione për ushtrimin e vetëqeverisjes vendore vetëm bashkitë.

Bashkia, si niveli baze i vetëqeverisjes vendore, përbëhet nga dy organet e saj:

  • Këshilli Bashkiak – si organi përfaqësues
  • Kryetari i Bashkisë – si organi ekzekutues,

Këshillat e Qarqeve mbeten niveli i dytë për ushtrimin e vetëqeverisjes vendore sipas funksioneve të përcaktuara në ligj.

 

Detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Këshillit Bashkiak sipas Kushtetutës së RSH

Në të gjitha detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes vendore, Këshilli bashkiak si organi kolegjial përfaqësues, vendimmarrës dhe mbikëqyrës i njësisë së vetëqeverisjes vendore është i përfshirë detyrimisht në të gjithë komponentët, përkatësisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë janë parashikuar detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e këshillit si më poshtë;

  • Rregullon dhe administron në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të vet;
  • Ushtron të drejtat e pronës, administron në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe ka të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike;
  • Kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre;
  • Vendos, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre;
  • Cakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e tij në pajtim me ligjin;
  • Krijon simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendor të nderit;
  • Ndërmerr nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj.
    • Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore

Karta Evropianë e Vetëqeverisjes Vendore (KEVV) është një traktat shumë-palesh i Këshillit të Evropës, i cili është një shprehje e parimeve me  të mira të qeverisjes vendore dhe që mund te adoptohet sipas  modelit të përshtatshëm për vete vendin ku zbatohet.

Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi tekstin e plote te Kartës ne 11 nëntor të vitit 1999.

Teksti i Kartës përmban tridhjete (30) nene te cilat përcaktojnë parimet e vetëqeverisjes vendore. Vendet nënshkruese duhet te plotësojnë kushtet e te paktën njëzete (20) neneve, nga te cilat te paktën dhjete (10) duhet te jene ne grupin e katërmbëdhjetë neneve thelbësore.

Një analize krahasuese e situatës se qeverisjeve vendore ne Shqipëri me tekstin e KEVV u përgatit ne Prill 1998[1], kur Shqipëria filloi te diskutoje nënshkrimin dhe ratifikimin e KEVV. Në atë kohë u arrit në përfundimin se Shqipëria ishte në përputhje me 7 nene nga te cilat 4 nene i përkisnin grupit te neneve thelbësore.

Nga një analizë krahasimore e kryer në vitin 2016[2] me të dhëna që marrin në konsideratë reformën territoriale dhe administrative të vitit 2015 si dhe ligjin 139/2015 «Për vetëqeverisjen vendore», duke shtuar këtu edhe ligjin nr. 68/2017 «për financat e vetëqeverisjes vendore» si dhe shtesat në ligjin 139/2015 për procesin e konsultimit ndërmjet qeverisjes qendrore dhe vendore, de-jure legjislacioni shqiptar për vetëqeverisjen vendore përputhet plotësisht me të gjitha nenet thelbësorë te Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.

Disa nga parimet bazë të KEVV janë:

  • Parimi i vetëqeverisjes vendore garantohet me Kushtetutë dhe me ligj të veçantë;
  • Vetëqeverisja vendore ushtrohet mbi bazën e parimeve te subsidiaritetit dhe te autonomisë;
  • Vetëqeverisja vendore si e drejtë dhe aftësi e autoriteteve vendore për të rregulluar dhe menaxhuar një pjesë të konsiderueshme të punëve publike (funksioneve) nën përgjegjësinë e tyre;
  • Autoritetet vendore do të kenë diskrecionin e plotë për të ushtruar iniciativën e tyre në lidhje me çdo çështje, e cila nuk është e përjashtuar nga kompetencat e tyre dhe që as nuk i është caktuar ndonjë autoriteti tjetër me ligj;
  • Funksionet e dhënë autoriteteve vendore normalisht duhet të jenë të plota dhe ekskluzive; ato mund të anashkalohen ose kufizohen nga një autoritet tjetër qendror ose rajonal;
  • Autoritetet vendore do të konsultohen në kohën e duhur dhe në një mënyrë të përshtatshme në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me autoritetin e tyre;
  • Ndryshimet në kufijtë e autoriteteve vendore nuk duhet të bëhen pa konsultime paraprake të komuniteteve në fjalë, mundësisht ato duhet të përcillen me anë të një referendumi;
  • Autoritetet vendore duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë strukturat e tyre të brendshme administrative për t’i përshtatur ato me nevojat vendore dhe për të siguruar një menaxhim efektiv
  • Autoritetet vendore kanë të drejtën e burimeve të përshtatshme dhe të mjaftueshme financiare, nga të cilat ata mund të disponojnë lirshëm brenda kornizës së kompetencave të tyre. Burimet financiare të autoriteteve vendore përputhen me përgjegjësitë e parashikuara në kushtetutë dhe ligj.
  • Autoritetet vendore të konsultohen për mënyrën në të cilën burimet financiare u shpërndahen atyre; dhe
  • Për aq sa është e mundur, grantet për autoritetet vendore nuk duhet të caktohen për të financuar projekte specifike. Dhënia e granteve nuk kufizon lirinë e autoriteteve vendore për të ushtruar vendimmarrjen për politikat në juridiksionin e tyre.

Më 16/11/2009, Këshilli i Evropës (KE) ka miratuar një Protokoll Shtesë të KEVV, i cili ka për qëllim që të forcojë rolin e pushtetit vendor në pjesëmarrjen e zhvillimit të politikave, krahas rritjes se rolit të qytetarëve ne vendimmarrjen vendore. Ky protokoll kërkohet që të ratifikohet nga Parlamentet e të gjitha vendeve anëtarë të KE, përfshirë edhe Shqipërinë; Kuvendi i Shqipërisë e ka ratifikuar këtë protokoll më 30 maj 2016.

  • Ligji 139/2015

Ligji 139/2015 mbështetur në bazë dhe në parimet e Kushtetutës së R.SH është ligji bazë mbi të cilin mbështetet veprimtaria e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri. Ai garanton një sistem të qëndrueshëm të vetëqeverisjes vendore, duke përcaktuar parimet bazë, misionin e vetëqeverisjes vendore si dhe organizimin dhe funksionimin e saj në Shqipëri.

Ligji 139/2015 është akti normativ i cili rregullon bazat e funksionimit dhe organizimit të qeverisjes vendore.

Në nenin 3 të këtij ligji përcaktohet misioni i vetëqeverisjes vendore i cili është sigurimi i qeverisjes së efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve nëpërmjet garantimit të aspekteve:

  1. Njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive;
  2. Respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të sanksionuara në Kushtetutë ose në ligje të tjera;
  3. Zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësive të tjera publike vendore në dobi të bashkësisë;
  4. Ushtrimit efektiv të funksioneve, kompetencave dhe realizimit të detyrave nga organet e vetëqeverisjes vendore;
  5. Realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme, bazuar në nevojat e anëtarëve të bashkësisë;
  6. Nxitjes efektive të pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të bashkësisë në qeverisjen vendore;
  7. Realizimit të shërbimeve, në përputhje me standardet e kërkuara me ligj ose akte të tjera normative.

Element tjetër i rëndësishëm i rregulluar nga ky ligj janë marrëdhëniet midis qeverisjes qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore të cilat bazohen në parimet e subsidiaritetit, të konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta në mënyrë të tillë që të jetë e mundur që njësitë e vetëqeverisjes vendore të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë autonome nga pushteti qendror.

Gjithashtu ky ligj në ndryshim nga ligji i mëparshëm trajton në mënyrë më të plotë elementët e nevojshëm për ushtrimin sa më efektiv të kompetencave dhe funksioneve të vetëqeverisjes vendore, më konkretisht trajtohen elementët e mëposhtëm:

  • Bashkëpunimin mes njësive të vetëqeverisjes vendore, formën e bashkëpunimit si dhe mënyrën e ndërveprimit midis këtyre njësive;
  • Transparencën, konsultimin dhe pjesëmarrjen qytetare;
  • Funksionet dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes vendore;
  • Financat e njësive të vetëqeverisjes vendore si parimet themelore, burimet e të ardhurave, shpenzimet, huamarrjen, mënyrën e hartimit dhe miratimit të buxhetit;
  • Përbërjen, krijimin, mënyrën e organizimit, kompetencat dhe detyrat e këshillit bashkiak;
  • Mënyrën e zgjidhjes, mandatin e kryetarit të bashkisë si dhe kompetencat dhe detyrat e tij;
  • Drejtimin dhe funksionimin e strukturave administrative të bashkisë;
  • Funksionimi i strukturave komunitare në bashki;
  • Përbërja, krijimi, mënyra e organizimit dhe kompetencat e këshillit të qarkut;
  • Riorganizimi i administrativo-territorial i vetëqeverisjes vendore.

Ky ligj përcakton funksionet bazë të njësive të vetëqeverisjes vendore. Këto funksione ndahen në 7 fusha kryesore dhe përbëjnë në tërësi një numër prej më shumë se 40 funksionesh.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë dhe administrojnë ushtrimin e funksioneve të veta në mënyrë të plotë dhe të pavarur, në përputhje me Kushtetutën, Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe ligjet në fuqi dhe duke marrë në konsideratë politikat kombëtare.

Funksionet që përcakton Ligji janë si vijon :

  1. Funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike;
  2. Funksionet e bashkive në fushën e shërbimeve sociale;
  3. Funksionet e bashkive në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve argëtuese;
  4. Funksionet e bashkive në fushën e mbrojtjes së mjedisit;
  5. Funksionet e bashkive në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pyjeve dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit;
  6. Funksionet e bashkive në fushën e zhvillimit ekonomik vendor;
  7. Funksionet e bashkive në fushën e sigurisë publike.

Detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Këshillit Bashkiak sipas ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen Vendore”

Detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e këshillit bashkiak, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës së RSh-së, janë të përcaktuar në mënyrë më të plotë dhe shteruese në ligjin 139/2015, veçanërisht duke përcaktuar mënyrën më të detajuar se si këshillat bashkiak caktojnë organizimin dhe funksionimin e tyre, përkatësisht në këtë ligj përcaktohen detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e këshillit bashkiak, ku këshilli:

  • Zgjedh nga përbërja e vet komisionet e këshillit dhe miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;
  • Zgjedh, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, kryetarin dhe zëvendëskryetarët e këshillit dhe i shkarkon ata;
  • Emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit bashkiak;
  • Miraton nivelin e pagave e të shpërblimeve të punonjësve e të personave të tjerë, të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  • Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues;
  • Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij; në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;
  • Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;
  • Organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë;
  • Vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi;
  • Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;
  • Vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;
  • Vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;
  • Zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar;
  • Vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit;
  • Miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik;
  • Vendos për simbolet e bashkisë;
  • Vendos për emërtimin e rrugëve, shesheve, territoreve, institucioneve dhe objekteve në juridiksionin e bashkisë;
  • Jep tituj nderi dhe stimuj;
  • Vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në bazë dhe për zbatim të ligjit, me të cilin bëhet ky delegim te bashkia.

5.4.      Ligje të tjera

Ligje të tjera të rëndësishme për ushtrimin e kompetencave dhë përgjegjësitë nga njësitë e vetëqeverisjes vendore janë miratuar në vazhdimësi. Një nga ligjet më të rëndësishme që  mund të evidentojmë në lidhje me menaxhimin e burimeve financiare, është Ligji nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore” i cili ka si objekt:

  • Përcaktimin e rregullave, të parimeve e procedurave të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore, përfshirë të ardhurat e veta nga takssat dhe tarifat vendore, taksat e ndara, transfertat nga Buxheti i Shtetit, si dhe të ardhurat e tjera të parashikuara me ligj;
  • Përcaktimin e rregullave bazë për madhësinë dhe ndarjen e transfertave të qeverisjes qendrore te njësitë e vetëqeverisjes vendore;
  • Përcaktimin e rregullave për politikat, instrumentet dhe procedurat për menaxhimin e financave publike në nivel vendor.

Qëllimi i këtij ligji është sigurimi i mënyrës së financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore në përputhje me parimet e autonomisë vendore, të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Gjithashtu ky ligj synon :

  • Garantimin e transparencën dhe parashikueshmërinë e transfertave nga qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore
  • Sigurimin e mjaftueshmërisë së burimeve financiare në dispozicion të njësive të vetëqeverisjes vendore për financimin e funksioneve dhe të kompetencave të tyre duke garantuar autonominë fiskale të njësive të vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet së drejtës për të vendosur e mbledhur taksa dhe tarifa vendore.
  • Të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe territorial, nëpërmjet përcaktimit të një mekanizmi efektiv për ekualizimin fiskal.
  • Të vendosë rregulla që sigurojnë disiplinë fiskale, politika të qëndrueshme dhe transparente për menaxhimin e fondeve publike, përshirë rregulla për parashikimin realist të të ardhurave dhe shpenzimeve vendore.
  • Të vendosë rregulla për shpërndarjen e burimeve financiare vendore, në përputhje me prioritetet strategjike dhe nevojat e komuniteteve vendore.
  • Të sigurojë që në krijimin dhe shpërndarjen e burimeve financiare vendore të njësive të vetëqeverisjes vendore përshpejtohet dhe realizohet barazia gjinore.
  • Të përcaktojë instrumentet dhe procedurat për menaxhimin e financave vendore dhe të rregullojë marrëdhëniet me qeverisjen qendrore në këtë fushë.
  • Të sigurojë konsultimin e vazhdueshëm të qeverisjes qendrore me njësitë e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet instrumenteve të përcaktuara të konsultimit, duke analizuar mjaftueshmërinë dhe stabilitetin e burimeve financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në ligj.

Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, bashkitë financohen nga të ardhurat që sigurohen nga taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera vendore, nga fondet e transferuara nga qeverisja qendrore dhe fondet që u vijnë drejtpërdrejt atyre nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore e donacione.

Burimet e financimit të bashkive, rrjedhimisht, janë:

  1. Burimet e veta vendore: ku përfshihen të ardhurat nga taksat (nga taksat vendore, taksat e ndara, nga tarifat për shërbimet publike) dhe te ardhurat e tjera (gjoba, shitje e dhënie me qira të aseteve, donacione etj.).
  2. Burimet qendrore: ku përfshihen transferta e pakushtëzuar, transferta specifike për funksionet e transferuara rishtazi tek qeveria vendore, transferta e kushtëzuar për funksionet e deleguara, dhe transferta e kushtëzuar nga FZHR.

Detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Këshillit Bashkiak sipas ligjit 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”

Në lidhje me financat vendore, detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e këshillit bashkiak, i gjejmë të përcaktuara më në detaje në ligjin 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Këshilli bashkiak i njësisë së vetëqeverisjes vendore miraton:

  • Drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme publike në fushën e financave të njësisë;
  • Prioritetet strategjike të zhvillimit të njësisë vendore;
  • Rishikon politikat fiskale vendore, në përputhje me aktet ligjore në fuqi;
  • Programin buxhetor afatmesëm të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
  • Buxhetin vjetor të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
  • Huamarrjen vendore dhe marrjen e masave për sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit të menaxhimit financiar të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vetëqeverisjes vendore.

 

  1. Marrëdhëniet ndërmjet qeverisë qendrore dhe vendore

Marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të qeverisjes qendrore bazohen në parimet e subsidiaritetit, të konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, për fushën e tyre të përgjegjësisë, informojnë me shkrim organet e qeverisjes qendrore për çdo çështje që u kërkohet informacion.

Organet e qeverisjes qendrore, kur kërkohet nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, japin informacion, sipas afateve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

  • Këshilli Konsultativ

Qeverisja qendrore konsultohet me njësitë e vetëqeverisjes vendore për politikat, legjislacionin dhe normat që rregullojnë dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e të drejtave dhe funksioneve të këtyre njësive.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore konsultohen, nëpërmjet shoqatave përfaqësuese të vetëqeverisjes vendore dhe grupeve të tjera të interesit, nëpërmjet të cilit u mundësohet prezantimi i opinioneve, komenteve dhe propozimeve të tyre për politikat dhe legjislacionin që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e të drejtave dhe funksioneve të tyre.

Në përputhje me nenin 12, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore” është miratuar VKM-ja nr. 910, datë 21.12.2016 “Për çështjet, objekt konsultimi, dhe strukturën, procedurën, formën, mënyrën e organizimit e të funksionimit të Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore”.

Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, përbërjen dhe funksionimin e tij, natyrën e çështjeve, objekt konsultimi, dhe procesin e konsultimit mes qeverisjes vendore dhe qeverisjes qendrore. Konsultimi kryhet nëpërmjet Këshillit Konsultativ si strukturë e përbërë nga përfaqësues të QQ dhe QV dhe bashkë drejtohet nga përfaqësuesi më i lartë i QQ dhe ai i QV të përfaqësuar nga shoqatat e tyre. Kryesuesit i QV e ndajnë kohën e bashkë-kryesimit ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë.

Objekt i konsultimit mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore janë edhe funksionet dhe/ose kompetencat e deleguara pushtetit vendor, transferimi i funksioneve ose kompetencave të reja dhe propozimet e politikave për çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore konsultohen gjatë vitit kalendarik për financat e tyre, mjaftueshmërinë dhe stabilitetin e burimeve të tyre, për arritjen e qëllimeve dhe kryerjen e shërbimeve të përcaktuara për to në ligjin nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, dhe ligjet e tjera në fuqi.

Çështjet, të cilat janë objekt konsultimi mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, sipas këtij vendimi, janë:

  1. a) hartimi dhe zbatimi i politikave të decentralizimit dhe monitorimi i realizimit të tyre;
  2. b) hartimi dhe zbatimi i politikave fiskale dhe financiare vendore, përfshirë transfertat ndërqeveritare dhe financimi i qeverisjes vendore nga buxheti i shtetit;
  3. c) funksionet e bashkive në fushat e mëposhtme:

ç) hartimi dhe zbatimi i politikave rajonale;

  1. d) hartimi dhe zbatimi i politikave rajonale dhe harmonizimi i tyre me politikat shtetërore në nivel qarku;
  2. dh) funksionet dhe kompetencat e këshillit të qarkut dhe çdo funksion tjetër i dhënë me ligj;
  3. e) nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar, me objekt zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të zonave ndërkufitare;

ë) çdo çështje tjetër që është në interesin e ndërsjellë të qeverisjes qendrore dhe/ose qeverisjes vendore.

Krijimi, përbërja dhe drejtimi i Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore

Përbërja e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore është në përfaqësim të barabartë anëtarësh, 9 përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe 9 përfaqësues të vetëqeverisjes vendore,

Në mbledhjet e Këshillit Konsultativ mund të ftohen të marrin pjesë kryesia e Komisionit Përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i Nënkomisionit të Përhershëm Parlamentar për Qeverisjen Vendore, anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave apo përfaqësues të tyre, përfaqësues të sektorit të kontrollit të ndihmës shtetërore pranë ministrisë përgjegjëse të ekonomisë, përfaqësues të organizmave dhe programeve ndërkombëtare me fokus veprimtarinë e qeverisjes vendore, si dhe drejtues të institucioneve kushtetuese ose institucioneve të tjera qendrore që kanë lidhje me çështjet, objekt konsultimi.

Sekretariati Teknik

Pranë Këshillit Konsultativ funksionon Sekretariati Teknik që kryen funksione ndihmëse dhe administrative. Rolin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Konsultativ e kryen Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore ndërsa Ministria e Financave luan rolin e sekretariatit teknik për çështjet e financave vendore.

Procedura e Konsultimit të Akteve dhe Mbledhjet e Këshillit

Projekligjet, projektvendimet, projektpolitikat ose projektstrategjitë, që lidhen me fushën e funksioneve të vetëqeverisjes vendore  si dhe çdo projektakt tjetër që përfshihet në fushën e veprimit të këtij vendimi, i dërgohen në formë elektronike e të shkruar Sekretariatit Teknik të Këshillit Konsultativ prej sekretarëve të përgjithshëm të institucioneve propozuese të projektaktit.

Me marrjen e tyre, Sekretariati Teknik i shfaq ato brenda tri ditësh pune në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Konsultativ dhe në formë elektronike e të shkruar ia dërgon çdo anëtari të Këshillit Konsultativ.

Afati brenda të cilit anëtarët e Këshillit Konsultativ dhe njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore mund të paraqesin vërejtjet, mendimet, komentet dhe propozimet e tyre, është 15 ditë kalendarike nga e nesërmja e dërgimit të projektaktit anëtarëve të Këshillit Konsultativ.

Në përfundim të këtij afati, brenda 7 ditësh, Sekretariati Teknik organizon punën për përgatitjen e përmbledhjes sipas mendimeve, komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve të paraqitura dhe ia dërgon ato propozuesit të projektaktit dhe anëtarëve të Këshillit Konsultativ. Një kopje e tyre shfaqet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Konsultativ.

Institucioni propozues nuk vijon procedurën e miratimit të projektaktit deri në marrjen e komenteve, mendimeve, vërejtjeve dhe propozimeve nga Sekretariati Teknik i Këshillit Konsultativ ose mbarimit të afatit për paraqitjen e tyre.

 

  • Mbikëqyrja dhe kontrolli

Për zbatimin e normave e të standardeve kombëtare, të përcaktuara në legjislacionin përkatës, ministritë, sipas fushave të përgjegjësisë, monitorojnë veprimtarinë e organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe për funksionet e deleguara kanë të drejtë t’i mbikëqyrin ato.

Vendimet, urdhrat dhe urdhëresat me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore i nënshtrohen verifikimit të ligjshmërisë nga autoriteti i përcaktuar me ligj (Prefekti i Qarkut).

Njësitë e vetëqeverisjes vendore i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe inspektimit financiar për zbatimin e normave e të standardeve kombëtare në fushën e menaxhimit të financave publike, sipas legjislacionit në fuqi.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore i nënshtrohen kontrollit të jashtëm financiar nga organet e qeverisjes qendrore vetëm për përdorimin e fondeve të kushtëzuara dhe/ose të deleguara që financohen nga Buxheti i Shtetit dhe/ose fondet e ndihmës së huaj, të alokuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas marrëveshjeve të nënshkruara nga qeverisja qendrore.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë subjekt i kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

  • Agjencia e Mbështetjes së Vetëqeverisës Vendore

Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes (AMVV) vendore u krijua me VKM-në nr. 83, datë 28.1.2015 “Për krijimin dhe funksionimin e Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale”, ndryshuar me VKM nr. 11, datë 12.1.2018, që sanksionoi transformimin e saj në Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Kjo agjenci u krijua si institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet vendore.

Agjencia ka këto detyra dhe përgjegjësi:

  • Mbështet ministrin përgjegjës për çështjet vendore në koordinimin e punës për zbatimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore;
  • Informon periodikisht institucionet publike, grupet e interesit dhe qytetarët mbi çështjet që lidhen me qeverisjen vendore;
  • Siguron informacione lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore e vendore dhe harton raporte, analiza periodike mbi këto çështje;
  • Ofron këshillim ligjor dhe teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e ushtrimit të funksioneve të tyre;
  • Shërben si qendër e evidentimit dhe e promovimit të praktikave më të mira dhe/ose modeleve rekomanduese për çështjet e vetëqeverisjes vendore;
  • Bashkërendon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare;
  • Mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet vendore (në rolin e një sekretariati teknik) në koordinimin e punës me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;

Në zbatim të ligjit 139/2015, AMVV ka nxjerrë Udhëzuesin “Për forcimin e administratës së këshillit bashkiak” bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë e saj lidhur me sigurimin e informacionit për çështjet e vetëqeverisjes vendore dhe qëllimin e saj për koordinimin e institucioneve publike qendrore e vendore, si dhe te ofrimit të këshillimit ligjor dhe teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e ushtrimit të funksioneve të tyre, ka evidentuar si të nevojshme marrjen e masave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për forcimin e administratës së këshillave bashkiakë.

  • Institucioni i Prefektit të Qarkut

Ligji nr. 107/2016 “Për Prefektin e Qarkut” përcakton rolin e prefektit të qarkut, misionit të tij dhe kompetencave në përmbushje të detyrave të tij, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave, në nivel qarku. Ky ligj rregullon marrëdhëniet e prefektit të qarkut me organet dhe institucionet e administratës shtetërore, me organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, degët territoriale që veprojnë në qark dhe me institucione të tjera shtetërore.

Misioni i prefektit të qarkut është përmbushja e detyrimeve për të garantuar zbatimin e programit politik të Këshillit të Ministrave, në nivel qarku.

Prefekti është autoriteti i përcaktuar në ligj si përgjegjës për sigurimin e mbikëqyrjen e ligjshmërisë mbi veprimtarinë e qeverisjes vendore në emër të qeverisë qendrore në lidhje me vendimet, urdhrat dhe urdhëresat me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore.

Ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore nuk ka marrëdhënie varësie. Marrëdhëniet ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore bazohen në parimin e konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Verifikimi i ligjshmërisë së akteve

Zbatimi i akteve të organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore bëhet në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Prefekti i qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore, pa penguar zbatimin e tyre, duke respektuar procedurën e mëposhtme:

  • çdo organ i njësisë së vetëqeverisjes vendore është i detyruar të depozitojë te prefekti i qarkut të gjitha aktet me karakter normativ, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së tyre.
  • për çdo akt të regjistruar në zyrën e protokollit, prefekti i qarkut detyrohet të shprehet për ligjshmërinë e tij, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit, sipas procedurave të mëposhtme:
  • në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit të qarkut i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura. Në këtë rast, organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore rishqyrton aktin;
  • vendimi i marrë nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, pas rishqyrtimit të aktit të kthyer nga prefekti i qarkut, depozitohet pranë prefektit të qarkut me të njëjtën procedurë dhe afat
  • në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, prefekti i drejtohet gjykatës kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës është organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti.
  • në rastet kur vëren shkelje ligjore në akt dhe vlerëson se kthimi i aktit nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk do të jetë i frytshëm, prefektit i lind e drejta që të kërkojë pavlefshmërinë e aktit drejtpërdrejt në gjykatën kompetente duke kryer edhe njoftimin e organit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Prefekti i qarkut ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti;

Verifikimi në vend i ligjshmërisë së akteve

Prefekti i qarkut verifikon ligjshmërinë e akteve me karakter normativ drejtpërdrejt dhe sistematikisht në organin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, kur nuk përcaktohet ndryshe në akte të tjera ligjore, jo më pak se një herë në 3 muaj.

Në rast se gjatë verifikimit në vend të ligjshmërisë prefekti i qarkut konstaton akte, të cilat nuk janë depozituar tek ai kërkon pavlefshmërinë e tyre në gjykatën kompetente për çështjet administrative.

Verifikimi i përgjegjësive të deleguara

Prefekti i qarkut verifikon realizimin e funksioneve e të përgjegjësive të deleguara nga pushteti qendror dhe përdorimin e fondeve të parashikuara për këto funksione, sipas rregullave të përcaktuara me VKM.

Prefekti i qarkut verifikon përdorimin e fondeve, donacioneve apo kredive që rrjedhin nga marrëveshje të qeverisë me organizma ndërkombëtarë. Në rast se gjatë verifikimit konstatohen shkelje ligjore, prefekti i qarkut informon ministrin, ministrin përgjegjës të funksioneve të deleguara, si dhe Kryeministrin, dhe, kur është e nevojshme, u drejtohet organeve ligjzbatuese.

Shqyrtimi i ankesave dhe zgjidhja e konflikteve

Prefekti i qarkut shqyrton ankesat e shtetasve për ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të nxjerra nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore. Në këto raste, i kërkon organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore depozitimin e aktit përkatës te prefekti i qarkut, kur një gjë e tillë nuk është bërë më parë, ose zbaton procedurat e përmendura më lart.

Ankesat e shtetasve shqyrtohen nga prefekti i qarkut sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

Prefekti i qarkut informohet për konfliktet që lindin ndërmjet institucioneve të ndryshme apo institucioneve dhe shtetasve, në nivel qarku duke u përfshirë në zgjidhjen e tyre, duke adresuar konfliktin pranë institucioneve përgjegjëse.

  • Agjencitë rajonale të dekoncentruara

Organet e dekoncentruara në nivel vendor (rajonal/lokal) përfaqësohen nga drejtoritë/zyrat rajonale/lokale të ministrive të linjës.

Zyrat rajonale/vendore të dekoncentruara, ose të ashtuquajturat “drejtoritë me varësi vertikale” janë krijuar nga disa ministri të linjës, të tilla si: e arsimit, e shëndetësisë, e punës dhe çështjeve sociale,e bujqësisë,e mjedisit etj., në çdo qark, dhe/ose qendra të ish-rretheve me funksionin për të menaxhuar zbatimin e politikave sektoriale në nivel vendor.

Këto struktura veprojnë në nivel vendor, por janë plotësisht të varura nga ministritë e linjës përkatëse. Bashkëpunimi ndërmjet organeve të dekoncentruara dhe NJQV është rritur gjatë viteve të fundit, por shpesh ka mbivendosje të kompetencave apo pasiguri në fusha të ndryshme, në veçanti në lidhje me zbatimin e funksioneve te përbashkëta.

  1. Komisioni Qendror Zgjedhor

Kompetencat e KQZ-së

KQZ-ja ka këto kompetenca bazë në lidhje me zgjedhjet për qeverinë vendore:

  • Nxjerr, në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe brenda sferës së juridiksionit të saj, vendime dhe udhëzime me fuqi juridike të përgjithshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
  • Merr vendime për njësimin e praktikave zgjedhore.
  • Drejton dhe kontrollon kolegjialisht, nëpërmjet çdo anëtari ose strukturave të saj, procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor.
  • Miraton kufijtë e zonave të administrimit zgjedhor.
  • Propozon ndarjen e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend.
  • Regjistron pjesëmarrjen në zgjedhje të subjekteve zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend, në përputhje me proceduarat e këtij Kodi.
  • Shpall me vendim rezultatin e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore, kandidatët fitues për zgjedhjet në Kuvend, kandidatë fitues për anëtarët e këshillave për organet e qeverisjes vendore.
  • Boton buletinin e zgjedhjeve, i cili përmban rezultatet e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore dhe qendër votimi, raportin për shpenzimet zgjedhore, si dhe publikon raportet.
  • Ushtron kontrollin mbi financimet e fushatës zgjedhore.
  • Shqyrton dhe zgjidh ankesat e subjekteve zgjedhore për zhvillimin e procesit zgjedhor.
  • Vendos sanksione administrative kundër personave, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet, si dhe bën kallëzim penal për vepra penale në lidhje me zgjedhjet.

 

Sistemi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

Kryetarët e bashkive si dhe këshillat e bashkive zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë nga zgjedhësit me vendbanim në territorin e bashkisë.

Anëtarët e këshillave të bashkisë zgjidhen në bazë të listave shumemërore të paraqitura nga partitë politike, koalicionet, ose të kandidaturave të propozuara nga zgjedhësit.

Kryetar bashkie zgjidhet kandidati që fiton numrin më të madh të votave të vlefshme të zgjedhësve që kanë votuar në njësinë vendore përkatëse.

Mandatet e këshillave vendorë ndahen nga KQZ-ja në bazë të sistemit proporcional.

 

Përllogaritja e mandateve të subjekteve zgjedhore

KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore.

Përfundimit të llogaritjes së rezultatit KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.

Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës

Mandati i anëtarit të këshillit bashkiak ndërpritet në rastet kur:

  1. a) nuk bën betimin;
  2. b) heq dorë nga mandati;
  3. c) nuk ka hequr dorë nga detyra si:
    • gjyqtar, prokuror;
    • ushtarak i shërbimit aktiv;
    • punonjësit i policisë dhe të sigurimit kombëtar;
    • përfaqësuesi diplomatik;
    • kryetar bashkie, si dhe prefekt në vendin ku kryen detyrën e tij;
    • kryetar dhe anëtar i komisionit të zgjedhjeve;
    • Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

ç) kur mbaron mandati i këshillit;

  1. d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në këshill;
  2. dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi

Mandati i ndërprerë i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.

Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë pasi për çdo këshill bashkie, një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë së njëjtës gjini. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.

KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar.

Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas së njëjtës procedure e cila mund të vazhdojë deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.

Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë.

  1. Dekriminalizimi

Ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ka për qëllim të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve.

Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik

Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve të caktuara të Kodit Penal në ligjin 138/2015. Ky ndalim zbatohet edhe ndaj personave që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale apo që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë.

Ndalimi për t’u emëruar në një funksion publik

Për veprat penale të parashikuara në, personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike si më poshtë:

– në shërbimin civil si dhe drejtues të çdo niveli në administratën publike të nivelit vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil;

– në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose administrohen nga shteti.

Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar varjon në bazë të veprës penale të kryer apo nga shkaqet e dëbimit nga një shtet i huaj.

Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave

Personat që dëshirojnë të kandidojnë, zgjidhen apo ushtrojnë një funksioni të zgjedhur ose të emëruar, duhet të plotësojnë e të nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi, me anë të të cilit deklarojnë mosekzistencën e shkaqeve për të kandiduar, për të mos u zgjedhur ose emëruar.

Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit ose mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo për mosemërimin nga organi përgjegjës

Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.

E drejta e nismës për verifikimin e të dhënave

Verifikimi i të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të parashikuar në nenin 5, të këtij ligji, kryhet sa herë kjo kërkohet nga 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut, si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues apo të krijuar me ligj dhe që zgjidhet me votim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Verifikimi i kushteve të ndalimit në rastin e krijimit të vakancave në këshillin bashkiak

Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave, në përputhje me këtë ligj, kryhet edhe për çdo kandidat të listave shumemërore apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet pararendëse për këshillin bashkiak përkatës, kur, për shkak vakance në këshillin bashkiak, kandidatit i takon të marrë mandatin për vendin vakant, sipas Kodit Zgjedhor.

Për kandidatët e listave shumemërore, për të cilët kryhet verifikimi kur verifikohen kushtet e mozgjedhshmërisë, sipas këtij ligji, KQZ-ja shpall faktin e moszgjedhshmërisë së personit përkatës dhe procedon me kandidatin vijues.

  1. Ekuilibri gjinor në Këshillin Bashkiak

Ligji nr. 9970, datë 24.7.2008 “Për barazinë gjinore në shoqëri” është akti ligjor i cili rregullon ekuilibrat gjinor në këshillin bashkiak. Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në jetën publike, të mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave e burrave, për mundësitë dhe shanset e barabarta për ushtrimin e të drejtave, si dhe për pjesëmarrjen e ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

Qëllimi i këtij ligji është:

  • të sigurojë mbrojtje efikase nga diskriminimi për shkak të gjinisë dhe nga çdo formë sjelljeje, që nxit diskriminimin për shkak të gjinisë;
  • të përcaktojë masa për garantimin e mundësive të barabarta ndërmjet grave e burrave, për të eliminuar diskriminimin e bazuar në gjini, në çfarëdo forme me të cilën shfaqet;
  • të përcaktojë përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore, qendrore dhe vendore, për të hartuar dhe zbatuar aktet normative, si dhe politikat që mbështesin zhvillimin dhe nxitjen e barazisë gjinore në shoqëri.

Ky ligj bazohet në parimin e barazisë e të mosdiskriminimit dhe në parimet e tjera, të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga konventa “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas”, si dhe nga të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

Me “Barazi gjinore” kuptojmë pjesëmarrjen e barabartë e femrave dhe e meshkujve në të gjithat fushat e jetës, pozitën e barabartë ndërmjet tyre, mundësi e shanse të barabarta, për të gëzuar të  drejtat dhe për të përmbushur detyrimet në shoqëri, duke përfituar njëlloj nga arritjet e zhvillimit të saj.

Masat e veçanta të përkohshme

Masat e veçanta të përkohshme përfshijnë kuotat për të arritur përfaqësim të barabartë gjinor, rritjen e pjesëmarrjes së gjinisë më pak të përfaqësuar në vendimmarrje dhe në jetën publike, fuqizimin ekonomik dhe të pozitës së personave të secilës gjini në fushën e punës, përmirësimin në mënyrë të barabartë të nivelit arsimor, si dhe masa të tjera në çdo fushë, ku personat e njërës gjini nuk gëzojnë pozitë të barabartë me personat e gjinisë tjetër.

Nuk përbëjnë diskriminim për shkak të gjinisë rastet kur organet shtetërore marrin masa të veçanta të përkohshme, përfshirë edhe dispozita ligjore, që synojnë përshpejtimin e vendosjes së barazisë faktike ndërmjet femrave dhe meshkujve. Këto masa duhet të pushojnë së ekzistuari sapo të jenë arritur objektivat e barazisë gjinore, për të cilat janë krijuar.

Barazia gjinore në organet e vetëqeverisjes vendore

Qeverisja vendore ka detyrimin ligjor për të  bashkëpunuar me ministrin përkatës, për shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e përmbushjes së funksionit të tij. Për këtë qëllim, në çdo ministri emërohet një nëpunës që merret me çështjet e barazisë gjinore.

Organet e qeverisjes vendore bashkëpunojnë me organet e qeverisjes qendrore për zbatimin e legjislacionit dhe politikave shtetërore për barazinë gjinore; bashkëpunojnë ngushtë me organizatat jofitimprurëse për arritjen e barazisë gjinore në fusha të ndryshme, në territorin që mbulojnë; kryejnë mbledhjen dhe përpunimin e statistikave vendore, të ndara sipas gjinisë si dhe emërojnë një ose disa nëpunës vendorë, që merren me çështje të barazisë gjinore, pranë tyre.

Pjesëmarrja e barabartë gjinore në procesin e vendimmarrjes

Përfaqësimi i barabartë gjinor në njësitë e vetëqeverisjes vendore arrihet kur:

  1. a) sigurohet përfaqësim në masën 50 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe në organet e tyre drejtuese;
  2. b) sigurohet respektimi në mënyrë të njëjtë për secilën gjini i procedurave dhe kritereve të konkurrimit, gjatë emërimit në këto organe;
  3. c) sigurohet përfshirja 50 për qind e secilës gjini në listën e kandidatëve për zgjedhjet në organet përfaqësuese vendore;
  4. d) sigurohet përfshirja 50 për qind të secilës gjini në organet administruese të procesit të zgjedhjeve qendrore dhe vendore.

Detyrat dhe Përgjegjësitë e Këshillit Bashkiak në kuadër të Barazisë Gjinore

Këshilli bashkiak ka për detyra dhe kompetenca të zgjedhë, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, kryetarin dhe zëvendëskryetarët e këshillit.

Këshilli bashkiak në përputhje me detyrën dhe kompetencën e tij në lidhje me organizimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e brendshëm të bashkisë siguron përfaqësim në masën 50% për secilën gjini, përfshirë edhe në organet e tyre drejtuese në administratën e bashkisë.

Këshilli bashkiak në përputhje me detyrën dhe kompetencën e tij në lidhje me monitorimin e performancës së ushtrimit të funksioneve siguron përmbushjen e treguesve gjinorë të këtyre funksioneve të përcaktuara në programin buxhetor afat mesëm sipas legjislacionit për hartimin e buxhetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Gjithashtu këshilli bashkiak mbikëqyr përmbushjen e përgjegjësive të njësisë së vetëqeverisjes në lidhje me detyrimet e përcaktuara në ligjin nr. 9970, datë 24.7.2008 “Për barazinë gjinore në shoqëri”.

 

  1. Informimi dhe pjesëmarrja e komunitetit

 

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

E drejta për informim është e drejta e çdo qytetari për t’u njohur me informacionin  publik e garantuar ekskluzivisht nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Ligji nr. 119/2014 për të drejtën e informimit i cili synon nxitjen e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike.

Për të pasur një qeverisje lokale të mirë dhe demokratike transparenca përbën një nga elementët thelbësorë që duhet të garantohen për të gjithë qytetarët. Ajo nënkupton ndarjen e informacionit si edhe ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve në mënyrë të hapur me publikun. Aksesi i lirë ndaj informacionit luan një rol kyç në parandalimin e korrupsionit, dhe si i tillë institucionet shtetërore duhet ta ofrojnë atë në kohë dhe në mënyrë të plotë për qytetarët.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre nëpërmjet (i) publikimit të akteve të organeve të saj dhe (ii) një programi dhe koordinatori të transparencës. Çdo akt i organeve të vetëqeverisjes vendore publikohet në faqen zyrtare të internetit të njësisë vendore dhe afishohet në vendet e caktuara nga njësia për njoftimet publike.

Aktet e këshillit publikohen në faqen zyrtare të internetit dhe afishohen në vende publike, të caktuara nga këshilli me akses të lirë publik, brenda territorit të njësisë vendore dhe, sipas mundësive, këshilli cakton edhe forma të tjera të publikimit të tyre.

Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore duhet të publikojë Programin e Transparencës në faqen e saj zyrtare dhe në stendat pranë mjediseve të saj fizike, i cili përmban:

  • Numrin e akteve të miratuara gjatë vitit referues,
  • Numrin e përgjithshëm të rekomandimeve të marra nga palët e interesuara,
  • Numrin e rekomandimeve dhe të komenteve të pranuara e të refuzuara gjatë procesit të vendimmarrjes,
  • Numrin e takimeve publike të organizuara.

Gjithashtu çdo njësi e vetëqeverisjes vendore është e detyruar të caktojë koordinatorin e transparencës dhe të miratojë programin e transparencës, duke siguruar akses nga të gjithë, veçanërisht nga shtresat më të varfra të komunitetit, në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi për të drejtën e informimit.

Për herë të parë në ligjin për të drejtën e informimit parashikohen sanksione administrative dhe përgjegjësi individuale ndaj titullarëve të institucioneve dhe nëpunësve të ngarkuar me përgjegjësinë e koordinatorit për të drejtën e informimit. Në rast të verifikimit nga Komisioneri të shkeljes të së drejtës për informim, aplikohen gjoba të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të bashkisë dhe koordinatorit për të drejtën e informimit.

  1. Konsultimi publik

Ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Konsultimi publik është marrja e mendimeve dhe sugjerimeve të palëve të interesuara për përmbajtjen e projekt-aktit dhe përmirësimin e tij, nga momenti i publikimit të projekt aktit deri në miratimin përfundimtar të tij.

Organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes me qëllim përfshirjen e qytetarëve, biznesit, shoqërisë civile dhe çdo aktori tjetër në këtë proces, në kuadër të përmbushjes së misionit të vetëqeverisjes vendore për nxitjen e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të bashkësisë në qeverisjen vendore.

Për të përmbushur këtë detyrim, njësitë e vetëqeverisjes vendore caktojnë koordinatorin për njoftimin dhe konsultimin publik, në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik.

Njoftimi për projekt-aktet që do t’i nënshtrohen procedurës së konsultimit publik bëhet nëpërmjet regjistrit elektronik.

Ky ligj përcakton mënyrat e njoftimit dhe marrjes së komenteve dhe rekomandimeve nga publiku, si më poshtë:

  • Njoftimi për projekt-aktet që do t’i nënshtrohen procedurës së konsultimit publik bëhet nëpërmjet regjistrit elektronik.
  • Në rastet kur organi publik e konsideron të nevojshme, njoftimi mund të kryhet edhe në një apo disa nga format e mëposhtme:
  1. a) me postë elektronike;
  2. b) me lajmërim publik, i cili afishohet në ambientet e organit publik nismëtar;
  3. c) me një lajmërim në mediat audiovizive kombëtare, rajonale ose lokale;

ç) me botimin në gazeta lokale ose në dy gazetat më të lexuara në nivel kombëtar.

  • Marrja e komenteve dhe rekomandimeve në procesin e konsultimit publik kryhet në një nga format e përmendura më sipër, si dhe në raste të caktuara në formë verbale dhe/ose me shkrim e të regjistruara në procesverbalin e takimeve publike.

Këshilli Bashkiak zhvillon seanca këshillimi të detyrueshme me komunitetin në rastet kur lidhen me çështje si:

  • Zgjedhja e komisioneve të këshillit
  • Miratimi i buxhetit dhe ndryshimi i tij;
  • Miratimi për tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave palëve të treta;
  • Miratimi i normave, standardeve dhe kritereve për rregullimin dhe menaxhimin e funksioneve të decentralizuar ose deleguar më ligj nga qeveria;
  • Dialogu dhe këshillimi për çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe social angazhon qytetarët dhe komunitetet në diskutime të informuara rreth qëllimeve dhe prioriteve të zhvillimit lokal.

Këshillimi me publikun bëhet sipas rregullores së këshillit dhe mund të jetë në formën e takimeve të hapura me banorët dhe grupet e interesit, takime me specialiste, institucione të interesuara dhe organizata të shoqërisë civile, ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore

Palëve të interesuara, të ftuara për të marrë pjesë në takimet publike, u jepet koha e nevojshme për përgatitje. Në çdo rast, ato informohen jo më pak se 20 ditë pune përpara takimit publik, duke u vënë në dispozicion kopje të projekt-aktit që do të diskutohet.

  1. Rregjistri elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike

 

VKM nr. 828/2015 “Për miratimin e rregullave të krijimit dhe administrimit të Regjistrit Elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike”

Çdo projekt-akt publikohet në regjistrin elektronik për njoftimin dhe konsultimin publik. Ky regjistër është një faqe zyrtare interneti, e cila shërben si një pikë qendrore konsultimi, dhe nëpërmjet këtij regjistri sigurohet akses dhe ofrohet mundësia e komunikimit të të gjitha palëve të interesuara me organin publik. Kjo formë siguron dhe forcon barazinë për sa i përket aksesit në informacion dhe shërbim, duke pasur në vëmendje dhe nevoja specifike për persona apo grupime të caktuara.

  1. E drejta e kërkesës dhe ankesës

Sipas nenit 9 të ligjit për vetëqeverisjen vendore 139/2015 çdo qytetar apo grupe që përfaqësojnë̈ komunitetet kanë të drejtë t’u drejtojnë̈ kërkesa, ankesa apo vërejtje organeve të vetëqeverisjes vendore për çështje që lidhen me funksione dhe kompetenca në juridiksionin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Organet e vetëqeverisjes vendore janë̈ të detyruara t’i marrin në shqyrtim kërkesat, ankesat apo vërejtjet dhe të kthejnë përgjigje brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Kërkesat, ankesat e qytetarëve janë objekt shqyrtimi nga këshilli bashkiak në kuadër të kompetencës së tij në lidhje me mbikëqyrjen e kontrollin e brendshëm të bashkisë, duke bërë të mundur marrjen e masave brenda fushës së përgjegjësisë së tij në lidhje me gjetjet e bëra në bazë të tyre.

Po ashtu, peticioni është një mekanizëm i rëndësishëm i demokracisë pjesëmarrëse pasi iniciohet nga publiku, në dallim me informimin dhe konsultimin publik që janë detyra të bashkisë.

E drejta e peticionit është e parashikuar në kapitullin e lirive politike në nenin 48 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku sanksionohet se kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.

Çdo person apo organizatë me interes në një bashki të caktuar ka të drejtën e hartimit dhe nënshkrimit të peticionit drejtuar Këshillit Bashkiak për çdo çështje që lidhet me përgjegjësitë dhe kompetencat e bashkisë. Pas pranimit të peticionit, Këshilli Bashkiak shqyrton atë duke respektuar procedurat dhe afatet e përcaktuara në rregulloren e tij të punës.

 

[1] Pigey, J. dhe C. Banks. Republika e  Shqipërisë: Mundësi dhe Çështje te Reformës Bashkiake. Janar 1998, Instituti Urban

[2] Analiza Krahasimore mbi Zbatimin e KEVV në 47 vendet e KE, 16 qershor 2016; Grupi i Eksperteve të Pavarur të KEVV. Raportues Guilherme Pinto, Portugali.