Bashkia e Lushnjës shtrihet në Fushën e Madhe të Myzeqesë, në ultësirën midis lumenjve Shkumbin e Seman, me korrigjime të vogla. Në verilindje ajo zotëron të gjitha kodrat e buta të Darsisë, ndërsa në perëndim i ndan fushat e gjera me bashkinë e Divjakës, dikur pjesë e rrethit të Lushnjës. Në veri kufizon me bashkitë e Rrogozhinës dhe Peqinit, në lindje me bashkinë e Belshit, në jug me Bashkinë e Fierit e Rroskovecit, ndërsa në perëndim me Divjakën “e saj”. Qendra e Bashkisë është qyteti i Lushnjës. Sipërfaqja e përgjithshme e saj është mbi 372 km2 . Në Rregjistrin Civil rezulton me një popullsi prej 154 mijë banorë. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 244.7 banorë për km2 , ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 341.91 banorë për km2 . Bashkia përfshin një qytet dhe gati 90 fshatra, të grupuar në 15 njësi administrative: Lushnja në 5 rajone, si dhe Allkaj, Bubullima, Hysgjokaj, Golemi, Dushku, Karbunara, Ballagati, Fier – Shegani, Kolonja dhe Krutja. Ajo është pjesë e qarkut të Fierit. Veç qytetit me rreth 60 mijë banorë, Bashkia e Lushnjës ka nën administrim një zonë të gjerë rurale; 63 për qind e popullsisë jeton në mbi 90 fshatra, apo fshatra – lagje. Ky territor është edhe zona bujqësore më e rëndësishme e Shqipërisë me prodhime blegtorale, të bimëve të arave, perimeve e bostanoreve në zonat e ulëta, si dhe me ullinj, drufrutorë e vreshta në zonat kodrinore. Bashkia e Lushnjës renditet e shtata në vend për nga numri i popullsisë dhe me produktin e përgjithshëm bujqësor është e para në shkallë vendi. Sot bashkia e Lushnjës ka mbi 40 shkolla 9-vjeçare apo gjimnaze, ku është investuar si kurrë më parë, ka një shkollë profesionale kombëtare, kopshte e çerdhe, spital e maternitet, si dhe dhjetëra qendra shëndetësore, sistem të gjerë shërbimi stomatologjik, farmaceotik, një rrjet laboratoresh me pajisje bashkëkohore etj.
Në aspektin historik, Lushnja është qyteti i dy kongreseve kombëtare, si asnjë qytet tjetër në Shqipëri. Të dy janë mbajtur më 1920, në vitin e mbarë të historisë sonë si shtet. Në janar ishte Mbledhja shpëtimtare e kombit, në gusht Kongresi Arsimor. Në të parin u arrit njësimi politik i vendit dhe në tjetrin njësimi gjuhësor. Që në tetor të vitit 1921 këtu u hap Shkolla e Parë Kombëtare Bujqësore në vend, me konvikt, toka dhe agregate për praktikën mësimore.
Në Lushnjë janë lindur dhe rritur emra të mëdhenj të kombit, Vaçe Zela, mbretëresha shqiptare e këngës, aktorja e mirënjohur Margarita Prifti (Xhepa) dhe i pari i regjisorëve shqiptar të filmit, Kristaq Dhamo, të tre Artistë të Popullit e Nderi i Kombit. Lushnjarë janë gjithashtu shkrimtarët e mëdhenj Vath Koreshi, deputet, ministër, Nderi i Kombit; Faslli Haliti, deputet, “Ylli i Artë i Shqiponjës”, dramaturgu Loni Papa – Nderi i Kombit, piktori shqiptaro – amerikan Zoi Shyti. Lushnja lindi e rriti Artistët e Merituar Ilia Shyti, Pavlina Prifti (Mani), Ajete Nepravishta (Brahimi), Luan Qerimi, Hysni Zela, Gjergji Lala, etj, pa lënë mënjanë edhe firmëtaret e Pavarësisë Ferit Vokopola, Nebi Sefa dhe Qemal Mullaj.
Duke qëndruar në faqen e Web-it të bashkisë, ju mund të merrni të dhëna të tjera administrative të cilat lidhen me legjislacionin vendor, projektet e bashkia Lushnjë, investimet e realizuara, vendimarrjet e Këshillit Bashkiak etj
