Bashkëqytetarët e mi!
Drejtimi i institucionit të bashkisë, përvecse një privilegj, është më së shumti një përgjegjësi e madhe, në planin ligjor dhe atë qytetar.
Detyra ime dhe e stafit që drejtoj është të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme punët dhe shërbimet publike, në një territor të gjërë që përfshin përveç qytetit edhe 10 Njësi Administrative.
Lushnja është një bashki sa e madhe, aq edhe e rëndësishme në planin ekonomik, sepse konsiderohet zona bujqësore më e rëndësishme e vendit. Ndaj, institucionalisht ne kemi një përgjegjësi të konsiderueshme për ti shërbyer me korrektësi dhe dinjitet çdo qytetari të Lushnjës, kudo në zonat rurale dhe urbane, përmes shpërndarjes të drejtë të investimeve, por duke parë padiskutim edhe nevoja dhe prioritete në raport me atë ç’ka është bërë ndër vite. Përsa më sipër, bujqësia, blegtoria, dhe agroturizmi janë prioritete nisur edhe nga resurset natyrore të Lushnjës, por edhe sepse 63% e banorëve jetojnë në zonat rurale. Mirëpo paralelisht me vëmendjen për bujqësinë, ne kemi në fokus të veçantë zhvillimin e qëndrueshëm që lidhet fort me investimet dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, në qytet dhe fshat, si një garanci jo vetëm për të përmirësuar jetesën, por edhe si faktore që ndikojnë direkt tek zhvillimi ekonomik. Infrastruktura shendetësore dhe arsimore është një tjetër aspekt që konsiderohet pararojë e punës tonë. Shërbimet sociale janë po ashtu një tjetër element në fokusin e bashkisë Lushnjë, duke ofruar lehtësira dhe mundësi për të gjitha shtresat, qofshin ato me probleme ekonomike, por edhe kategorite e njerëzve me problem shendetësore. Mbështetja e të rinjve të talentuar të Lushnjës dhe promovimi i tyre është një tjetër prioritet i yni, sikurse kemi shtuar vëmendjen edhe drejt investimeve në infrastrukturen sportive dhe masivizimin në sport, si elemente për një jetë shumë më të shendetëshme. Mjedisi sot është një shqetësim global dhe ne, nuk mund të qëndrojmë jashtë kësaj qasje, kuptohet duke pasur në vëmendje interesin tonë lokal, për një Lushnjë me të pastër e më të gjelbëruar, një aspekt që nuk është vetëm qasje institucionale, por duhet të jetë edhe një kauz shoqërore.
Në morinë e të gjithë elementeve të vizionit tonë për Lushnjën sot dhe nesër, nuk kemi lënë jashtë vëmendjes jetën artistike dhe kulturore, përkundrazi do të mbështesim fort shtimin e aktiviteteve gjatë gjithë vitit dhe promovimin e destinacioneve turistike të zonës tonë.
Të gjitha këto, bashkë me garancinë për një institucion të hapur dhe transparent, janë modeli ynë për ta zhvilluar Lushnjën, duke e bërë një bashki që sikurse e ka traditë mirëpret dhe përfaqëson këdo që mbart vlera e që dëshiron ti vendose këto vlera në funksion të shoqërisë tonë!
Miqësisht,
Eriselda Sefa!
