Presidenti i Republikës zhvilloi një vizitë zyrtare në Bashkinë e Lushnjës, ku u prit nga kryebashkiakja, Znj.Eriselda Sefa dhe stafi i saj i ngushtë.
Zonja Sefa e njohu Presidentin me projektet e rëndësishme në funksion të infrastrukturës dhe zhvillimit urban në Lushnjë duke u ndalur më së shumti tek potencialet e zhvillimit socio-ekonomik të zonës së Lushnjës, mbi të gjitha bujqësia dhe agroturizmi të cilat janë fort të lidhura me njëra-tjetrën!
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj u njoh me zhvillimin dhe problematikat e ekonomisë bujqësore, e cila zë peshën kryesore në zonën e Myzeqesë, por dhe një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit.
Kreu i Shtetit i shoqëruar nga kryebashkiakja Sefa vizituan disa fabrika vaji ulliri dhe serrat me produkte bujqësore në njësinë administrative të Ballagatit. Ai i nxiti këta sipërmarrës të ndërtojnë modele agroturizmi që të arrijnë përfshirjen e kësaj zone të mrekullueshme nga natyra dhe dora e njerëzve të saj punëtorë në hartën e pikave turistike të vendit.
Kryebashkiakja Sefa nga ana e saj shtoi se bashkia, përveç angazhimit të vazhdueshëm në promovimin e prodhimeve të kësaj zone të Darsisë, evidentoi edhe politikat lokale në funksion të nxitjes së hapjes së bizneseve lokale në agroturizëm. Ajo tha se çiftet e reja që duan të hapin biznese të reja në këtë sektor përjashtohen në vitet e para nga tarifat vendore, pa lënë mënjanë mundësinë për të përfituar edhe nga skemat lehtësuese te qeverisë për këtë sektor.
Duhet thënë që zona e Darsisë ka traditë në kultivimin e agrumeve dhe ullinjve! Banorët e zonës janë investuar shumë në kultivimin e kësaj peme, e paralelisht janë ndërtuar fabrika moderne të përpunimit të ullirit, duke garantuar vaj cilësor për tregun vendas dhe atë të huaj!