Fasadat e pallateve në lagjen “Loni Dhamo” në Lushnjë po rehabilitohen, një investim i cili i jep një tjetër vlerë kësaj zone.

Kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa së bashku me kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Balla panë nga afër punimet që po kryhen në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

“Po kryhet rehabilitimi i 7 pallateve, të cilat do të vishen me kapot. Pa përfundimit të fasadave do të bëjmë edhe rehabilitimin e zonës dhe gjelbërimin e saj”, theksoi Sefa e cila shtoi se ky projekt ka pasur një impakt shumë të mirë tek qytetarët.

“Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët, sepse ka pasur disa kangjella e rrethime, të cilat i kemi hequr. Përveç rehabilitimit të pallateve dhe ambientit përreth do të vendosim edhe një kënd lojërash për fëmijë”, shtoi Sefa.

Drejtuesja e bashkisë tha se kjo zonë e Lushnjës do të marrë një pamje edhe më të bukur pasi të përfundojë investimi madhor për rehabilitimin e Unazës së Lushnjës, segment që kalon edhe në lagjen “Loni Dhamo”, punë që do të rrise ndjeshëm edhe vlerën e pronave në këtë zonë të qytetit.

Sefa dhe Balla e vunë theksin edhe tek puna për heqjen e depozitave të ujit nga taracat e pallateve tanime që Lushnja furnizohet 24 orë me ujë në ditë.