Kryeministri Edi Rama së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa panë nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e kinoteatrit “Vaçe Zela” në Lushnjë.

 

Zonja Balluku tha se punimet përmes Fondit Shqiptarë të Zhvillimit janë duke ecur me ritmin e duhur.

 

“Kemi bërë dhe një dakordësi mes bashkisë, Eriseldës dhe FShzh-së për ta kthyer këtë pjesën këtu në muzeale, pasi kemi identifikuar brenda këtij teatri shumë pjesë të vjetra si piano, apo rroba që kanë qenë pjesë e kostumografisë për t’u përdorur. Dhe e kemi lënë që kjo pjesa këtu të jetë pak më e errët dhe të ketë mundësi për ekspozimin e këtyre sendeve që janë të vyera për historikun e teatrit. Kemi një skenë rrotulluese.Është e dyta në Shqipëri pas asaj të Teatrit dhe Operas, dhe është bashkangjitur në ndërtesë edhe teatri i Kukullave që do të jetë gjithashtu dhe në funksion të një qendre kulturore. “Kati përdhe ka qenë magazinë, tani mendojmë ta kthejmë në zonë kulturore për fëmijët dhe të rinjtë me kurse të ndryshme muzikore e artistike. Pjesa jashtë, do jetë e gjitha në formën e një lulishteje” – shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku.

 

Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e bërë për realizimin e projektit dhe rekomandoi lidhur me disa elemente artistike plotësuese.

 

Qendrës së Artit “Vaçe Zela”, në bashkinë Lushnjë, e pozicionuar në lagjen “Kongresi i Lushnjës”, me funksione komplekse si teatër, kinema, aktivitete sociale kulturore etj, është godinë e ndërtuar që në vitin 1974 dhe projekti i ri, falë një koncepti bashkëkohor të një qendre arti multifunksionale, përfshin ndërtimin e një salle teatri moderne, kinema, një skenë lëvizëse, teatrin e kukullave, hapësirë për ekspozita, kurse arti për të rinjtë, e gjitha një hapësirë ideale për shfaqje të ndryshme teatrore, muzikore dhe artistike.