Këshilli Bashkiak miratoi me shumicë votash buxhetin e ri të bashkisë Lushnjë për vitin 2025 si dhe Programin Buxhetor Afat-Mesëm 2025-2027( PBA).
Buxheti i vitit 2025 është më i madhi që ka pasur ndër vite bashkia e Lushnjës. Në raport me vitin 2024, buxheti ka një rritje të konsiderueshme me 14%. Investimet publike në vitin 2025 do të jenë 28% më shumë në raport me vitin që po mbyllet.
Në mbledhjen më të rëndësishme të vitit, kryebashkiakja e Lushnjës, Znj.Eriselda Sefa pasi bëri një pasqyrë të punëve publike gjatë vitit 2024 në territorin e të gjithë bashkisë, tha se treguesit financiarë të bashkisë Lushnjë janë mjaft pozitiv, pasi nuk ka debi të krijuara nga 2024, ndërsa borxhi i trashëguar nga vitet e kaluar është shumë i vogël duke e bërë bashkinë Lushnjë një nga institucionet me perfomancën më të mirë financiare në vend! Buxheti 2025 sipas Znj.Sefa synon të vijojë rrugën transformuese në të cilën është futur bashkia Lushnjë sa i takon infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
“Fokusi ynë është tek konsolidimi i punës bashkiake për shërbimin e pastrimit të cilin e kthyem nga privat në publik! Buxheti parashikon investime të shpërndara njëtrajtshmërisht mes Njësive Administrative, e padikustim me fokus të vazhdueshëm tek qyteti! Me rëndësi në 2025 janë investimet në mjete teknologjike që kanë në fokus rritjen e efiçencës së punës sonë në sektorin e bujqësisë (pastrimin e kanaleve dhe hapjen e rrugëve të parcelave) dhe emergjencave civile. Partnerët tanë vendas dhe të huaj (donatorë) janë garanci për projekte gjithëpërfshirëse në shërbimet sociale, ndërsa sporti, arti dhe kultura do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e duhur” deklaroi mes të tjerash përpara kryebashkiakja Sefa e cila iu përgjigj interesimit të Këshilltareve në lidhje me prioritetet në investime për vitin 2025 të bashkisë Lushnjë si dhe ndërhyrjet që janë programuar sipas Njësive Administrative dhe Rajoneve të qytetit.
Zonja Sefa shtoi se administrata bashkiake është përpjekur të prekë vecanërisht shqetësimet dhe nevojat kryesore të evidentuara edhe përmes Konsultimeve Publike të organizuara gjatë muajit nëntor me qytetarët dhe grupet e interesit nga ana e Këshilit Bashkiak.
Buxheti i bashkisë Lushnjë për vitin 2025 përllogaritet të jetë pak më shumë se 1.9 miliardë lekë të reja, nga të cilat rreth 405 milionë lekë të reja janë investime, pa llogaritur edhe projektet me donatorët vendas dhe të huaj.