Në Lushnjë ka nisur të zbatohet projekti “WIFI4WB” teksa qytetarët kanë akses Wi-Fi në disa zona e hapësira publike të qytetit, sikurse në sheshin përpara “Bashkia Lushnje”, përpara Muzeut deri tek “Shtepia Muze e Kongresit te Lushnjes”, si dhe sheshet përpara këtyre atraksioneve historike!

 

Iniciativa WiFi4WB është pjesë e projektit EU4Digital, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe e zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).

 

WiFi4WB ofron pika aksesi (hotspots) falas të Wi-Fi publik për deri në 500 bashki në mbarë Ballkanin Perëndimor. Ajo bazohet në suksesin e programit WiFi4EU të BE-së, i cili alokoi 130 milionë euro për të krijuar rrjete publike Wi-Fi në rreth 9,000 bashki të BE-së.

 

Pikat e aksesit Wi-Fi instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke ofruar qasje falas dhe të besueshme në internet për banorët dhe vizitorët.

 

Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së lidhshmërisë në rajon, duke fuqizuar njerëzit të komunikojnë, të mësojnë dhe të punojnë online në mënyrë më efektive. Është pjesë e një plani më të gjerë për të përshpejtuar tranzicionin digjital në rajon, duke promovuar kështu integrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët Digjital të BE-së.

 

Projekti në Lushnjë do të zbatohet për tre vite me radhë, deri në prill 2029.