Hapja e edicionit të tretë të Panairit të Bujqësisë në Lushnjë u përshëndet nga kryetarja e bashkisë Znj.Eriselda Sefa. Ajo vuri në dukje përmasat e konsiderueshme që ka marrë panairi i cili këtë vit ka 90 kompani prestigjoze nga vendi e bota si dhe mijera vizitore. Kryebashkiakja shtoi se “Ditët e Bujqësisë” janë eventi më i rëndësishëm i këtij sektori në vend dhe pikë takimi dhe rrjetëzimi për aktorët e bujqësisë e blegtorisë në vend, institucione, biznese, fermerë e specialistë të fushës.

 

Më poshtë fjala e plotë e kryebashkiakes Znj.Eriselda Sefa.

 

Të nderuar miq, e nderuar Zonja Denaj, Ministre e Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural, i nderuar Z.Faton Peci Minister i Bujqesise, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, i nderuar z.Salih Gjonbalaj Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqesise në Malin e  Zi, të dashur fermere dhe përfaqësues të kompanive të sektorit bujqesoro- blegtoral nga vendi e rajoni: Mirë se vini në Lushnjë, Mirë se vini në Panairin më të rëndësishëm të këtij lloji në vend “Ditët e Bujqësisë 2024”.

Jemi shumë të lumtur që sot në edicionin e trete të këtij eventi ndërkombëtar, ne jemi rritur e jemi konsoliduar edhe më shumë duke e kthyer panairin ne piken kryesore te takimit dhe rrjetëzimit për sektorin e bujqësisë, duke tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni. Ishte realisht një sfide me veten e jo vetëm, iniciativa e ndërmarrë në 2022 për ti dhënë Lushnjës dhe mbarë zonës së Myzeqese një ngjarje të këtyre përmasave, ndaj sot besoj se kjo sfide është realizuar me sukses në mënyrë te vecante falë një organizimi perfekt në detaj nga Iceberg Exhibitions, e cila falë përvojës 25 vjecare ne treg na e ka bërë më të lehte menaxhimin e tre ditëve të Panairit.

“Ditët e Bujqësisë”, që mbahet në prill të çdo viti, është eventi më i madh dhe me më shumë ndikim në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri që vjen si bashkëpunim mes bashkisë Lushnjë dhe Ministrisë së Bujqesise dhe Zhvillimit Rural. Më lejoni që në krye te herës të falenderoj Ministren Denaj e cila na ka mbështetur shumë dhe është kujdesur që cdo shqetësim i yni si pushtet lokal për sektorin bujqesor dhe atë blegtoral dhe adresohet shpejt dhe të marrë zgjidhje.

Objektivat që synohen të arrihen përmes panairit përfshijnë edukimin, ndërgjegjesimin, rrjetezimin, informimin dhe mundësinë për marketing në sektorin e bujqësisë, duke përfshirë nënsektore si bujqësia, blegtoria, shpendët, peshkimi, etj.

Këtë vit në panair marrin pjesë rreth 90 kompani dhe institucione, si ekspozues nga Kosova, Mali i Zi, Greqia, Serbia, Italia, Austria etj, duke ofruar mundësi të pafundme për bizneset dhe profesionistët për sektorin, duke mbuluar jo vetëm një treg lokal e kombëtar, por gjithashtu edhe ndërkombëtar. Ndaj edhe njehere tjeter mirënjohje për të gjithë ju si biznese e kompani që jeni pjesë e këtij eventi.

Qëllimi kryesor i panairit në fakt është krijimi i një platforme komunikimi për bizneset për të inkurajuar partneritete të reja dhe bashkëpunime në sektorin bujqësor. Ndaj, në tre ditët e panairit, do të organizohen shumë aktivitete, duke përfshirë takime biznesi, sesione informuese, ëorkshope dhe konferenca.

Sektori i bujqësisë në Shqipëri luan një rol kyç për ekonominë e vendit, duke dhënë një kontribut prej 20% të prodhimit të brendshëm bruto dhe duke angazhuar rreth një të tretën e forcës punëtore në vend, ndërsa Myzeqeja dhe vecanërisht Lushnja kanë një rol të rëndësishëm brenda këtij sektori duke qene se zë 1/5 te ekonomisë së vendit.

Lushnja, njihet si “hambari” i Shqipërisë për potencialin në bujqësi, me një sipërfaqe të madhe tokësore dhe një volum të lartë prodhimi në shumë kultura bujqësore, si dhe me një numër të konsiderueshëm prej 11.150 fermerësh. Bashkia e Lushnjës ka toka te pjellorise se larte, prodhim bujqesor gjithevjetor, pika shumice te mjaftueshme me standarte qe grumbullojme prodhimin jo vetëm lokal, por edhe të zonave përreth, pa lënë mënjanë ciklin e plote te prodhimit dhe perpunimit te produkteve blektorale.

Permiresimi i mekanikes bujqesore është i dukshëm ndonese përdorimi i teknologjisë në këtë sektor ka ende punë për të bërë, një aspekt që do të rriste efikasitetin e prodhimit dhe do të ulte kostot.

Nga ana tjetër, të gjithë aktoret publik e privat në fushën e bujqesise dhe blegtorise kanë nevoje te adresojnë vazhdimisht një shqetësim që është ende real dhe i prekshëm sikurse siguria ushqimore, një aspekt jetik  edhe kur vjen puna për tu përafruar me standartet europiane, rrugën e së cilës e kemi nisur pa kthim.

Rritja e ndjeshme e eksporteve vit pas vitiështë tregues që tregues se fermeret dhe sipermarrjet locale bujqesore dhe blegtorale kanë adresuar mirë shqetësimet që lidhen me cilësinë dhe standartet e produkteve, ndonese ky është një proces i vazhdueshëm kërkon bashkëpunim të frytshëm mes palëve.

Mjafton të permendim vetëm një periudhe tremujore janar-mars 2023- dhe janar-mars 2024 për të dëshmuar rritjen e  eksporteve te produkteve nga bashkia Lushnjë drejt tregjeve kryesisht ndërkombëtare nga 10 mijë e 712 tonë, në 11 mijë e 505 tonë.

Një tjeter aspekt i rëndësishëm është konsolidimi i vazhdueshëm i zinxhirit bujqesoro-blegtoral sikurse prodhimi në fushë, përpunimi dhe më pas konsumi, e cila garanton padiskutim ate që njihet ndryshe bujqësia e qëndrueshme,  e cila fuqizon ekonomine lokale dhe kombëtare.

E meqenese jemi tek zhvillimi ekonomik, që në fundore është thelbi i këtij panairi do të doja rë evidentoja dy elementë të rëndësishëm të tjerë nga potenciali lokal i Lushnjes, agroperpunimi dhe agroturizmi aspekte natyrisht që mund të trajtohen edhe ne panelet e këtij panairi, të cilat kanë nevoje për bashkëpunim të shtuar institucional. Po ju sjell në vëmendje një rast suksesit të vitit të kaluar.

Marrëveshja institucionale me Italinë për eksportin e vajit të ullirit rezultoi mjaft efikase për qindra familje të Lushnjës, apo edhe biznese që janë pjesë e këtij sektori, pasi u garanatua shitja e produktit, madje edhe me cmim më të mirë. Në nivel lokal, si bashki përmes politikes tone fiskale kemi favorizuar grate e zonave rurale dhe të rinjte që duan të investojmë në agroturizëm, duke i zeruar detyrimet tatimore në vitet e para.

Një tjeter pozitiv për fermerin ka qënë edhe skema e subvencionimit e cila këtë vit shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të aplikanteve qoftë përmes aplikimit individual, ashtu edhe për grupimet e fermereve, të cilët përmes këtyre formave të bashkëpunimit jo vetëm përfitojnë më shumë, por synojnë edhe tregje me benefite më të mëdha financiare.

Gjithcka përmenda deri më tani, lidhet jo vetëm me tokën me të cilën na ka bekuar Zoti, jo vetëm me shërbimet, që janë një detyrim institucional, por më së shumti lidhen me njerezit, me njerezit punëtore të Lushnjës e mbarë Myzeqese, të cilët falë mundit dhe djersës së tyre i sherbejnë një konsumatori lokal, rajonal dhe ndërkombëtar. Ndaj ky panair, të dashur bashkëqytetare, të dashur fermerë është më së shumti për ju, me besimin se cdo stendë, cdo panel, cdo diskutim, do të përkthehet në një benefit financiar, sot dhe neser për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe asaj kombëtare.

Edhe njehere tjeter faleminderit të gjithëve!

Panair sa më të mbarë e të frytshëm dhe uroj që vec angazhimit këtu, të shijoni edhe Lushnjen me të gjithë mikëpritjen e saj, që është traditë e veçantë për myzeqarët!

 

 

 

AlbaniaUSA