LUSHNJA, NJË MARGARITAR I SHQIPËRISË
Zona e Lushnjes i ka të gjitha “burimet” për t’i ofruar shumë, turistëve qofshin këta vendas apo të huaj. Nëse do e nisim me lashtësinë, jo larg qytetit ngrihet Manastiri mesjetar i Ardenicës, ku kultura dhe antikiteti ndërthuren në të gjithë strukturën e kishës duke e kthyer atë në një ansambël arkitektonik mbresëlënës.

Treva e Lushnjës ofron shumë mundësi relaksi dhe zbavitjeje edhe për të apasionuarit pas ecjeve në natyrë, ku trajektoret përreth kodrave të Darsisë janë mjaft piktoreske dhe të njohura për betejat e zhvilluara që në kohën e romakëve, por edhe më vonë. Veçojmë betejën midis Jul Çezarit dhe Pompeut apo betejën e Savrës, të vitit 1387, Për më tepër, kjo trevë ofron mundësinë për të zhvilluar edhe sportet ujore. Zona ku mund të tërhiqet turizmi vendas apo i huaj janë rezervuarët e Kasharajt, Thanës, Kryekuqit etj.
Për ecje natyrore mund të pëlqehet dhe kodra e Stan Karbunarës ku ruhen themelet e një kalaje të hershme. Por edhe kodra mister e Vainit mbi Lushnjë tërheq turistë. Ndërkohë shumë pak e dinë që në këtë kodër ruhen dëshmitë e një Bazilike 1500 – vjeçare. Në mjaft vende me traditë të zhvilluar gastronomia përbën pothuajse një lloj turizmi.
Edhe rajoni i Myzeqesë ka veçoritë e tij të gatimit. Llojet e peshkut janë të ndryshme si ngjala, levrek, qefulli etj, por gjithashtu ndër gatimet karakteristike përmenden roshnicat. Meqenëse rajoni është fushor një përhapje të madhe kanë shpezët e buta, mishi i të cilave serviret në çdo tavolinë. Tipike janë edhe ëmbëlsirat të bëra kryesisht me petë të derdhura si byreku dhe qumështori. Nga pijet më të përdorshme janë rakia e rrushit, mënit si dhe e manaferrës.

Më poshte gjeni të linkuar disa nga pikat kryesore turistike të Lushnjës
Harta Turistike Lushnje
