Mbi gjashtë mije nxënës të arsimit parauniversitar nisën vitin e ri shkollor 2024-2025 në bashkinë Lushnjë. Gjatë gjithë periudhës së verës pushteti lokal punoi për të përmirësuar mjedise arsimore aty ku ishte e nevojshme të ndërhyhej në ambientet e brendshme dhe fasadat e godinave. Në nisje të procesit mësimor, kryetarja e bashkisë Zonja Eriselda Sefa vizitoi nga afër disa shkolla në qytet dhe Njësitë Administrative duke ndarë me nxënësit dhe mësuesit mesazhet e rastit. Përvec urimit për rezultate të larta në procesin mësimor për cdo nxenës, Zonja Sefa tha se celësi i suksesit është bashkëpunimi sa më efikas në trekëndëshin mësues-nxenës-prindër.
Kryetarja e bashkisë shtoi se institucionet publike, qeveria dhe pushteti vendor kanë detyrimin që ti ofrojnë pranë stafeve arsimore dhe nxënësve kushtet e duhur për të zhvilluar mësim me standarte sa më të mira. Zonja Sefa iu referua investimeve të shumta që qeveria shqiptare dhe bashkia Lushnjë kanë kryer për përmirësimin e dukshëm te infrastrukturës arsimore duke rikonstruktuar disa shkolla, kopshte dhe çerdhe në mbarë territorin e Lushnjës, pa lënë mënjanë edhe fusha sportive dhe pallate sporti që janë në funksion të shkollave.
“Bashkë me urimin e përzemërt për sa më shumë suksese, gjej rastin të konfirmoj vullnetin e palëkundur të Bashkisë Lushnjë dhe qeverisë shqiptare për të përmirësuar edhe më tej infrastrukturën arsimore, sikurse është rasti me projektet që vijojnë për shkollat e reja 9-vjecare në Golem dhe Karbunarë apo edhe gjimnazin e njohur “Jani Nushi” në qytet!”

