Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Qyteti > Historia e Qytetit

Historia e Qytetit

 

LASHTËSIA E QYTETIT TË LUSHNJËS

            Qyteti i Lushnjës shtrihet në lindje të fushës së Myzeqesë, buzë kodrave të Darsisë. Territori i tij zë një sipërfaqe prej 37 km². Bashkia numëron një popullësi prej rreth 60000 banorë. Qyteti është i ndarë në tetë lagje,të organizuara në pesë rajone. Objektet e pushtetit vendor janë të vendosura në sheshin qendror, po këtu janë edhe institucionet kulturore-artistike, historike, etj. Si Kinoteatri, Muzeu Historik, Biblioteka Publike, Qendra Kulturore e Fëmijëve, etj . Kinoteatri mban emrin e këngëtares së madhe Vaçe Zela. Në qytetin e Lushnjës ka një rrjet të tërë institucionesh arsimore dhe kërkimore kombëtare. Instituti i Kërkimeve Bujqësore, tashmë me emërtim të ri, zhvillon prej dekadash një veprimtari të gjerë  kërkimore-shkencore me dobi kombëtare. Katër vite më parë, aty u çel filiali i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili  tani numëron qindra studentë.Gjithashtu këtu gjendet edhe shkolla e mesme bujqësore profesionale kombëtare, e cila është çelur  dekada më parë.  Përgjatë bulevardit kryesor, shtrihet  lulishtja e madhe e qytetit. Sipërfaqe të gjelbërta ka edhe në brendësi të lagjeve. Vitet e fundit, rrugët e qytetit janë më të gjelbëruara me pemë dekorative të llojeve të ndryshme. Lushnja ka një pozitë të favorshme gjeografike. Këtu kryqëzohen arteriet më të rëndësishme të komunikimit ndërqytetës. Autostrada veri-jug kalon pranë qytetit. Nga këtu nis edhe rruga më e rëndësishme e lindjes ,Berat -Skrapar e më tej. Gjithashtu nëpërmjet rrugëve dytësore, Lushnja ka shkurtuar distancën me Elbasanin dhe qytetet e tjera të këtij qarku.

             Sipas dëshmive "qyteti fillimisht qe  ngulur në kodrat e Virovës, në afërsi të Golemit. Më vonë, thuhet  se  prej  këtu banorët u vendosën afër përroit". Një tjetër gojëdhënë shumë e përhapur, tregon për "Hanin e Salushes"  si  burim  nga  rrjedh dhe emri i qytetit Lushnjës. Për Salushen, mendohet që ajo të ishte e veja e Pashait ose skllavja e tij, ose disa thonë vajza e tij. Ndonëse ekzistencën e hanit të saj të famshëm   diku    tokat  pranë  Institutit  e kemi të provuar historikisht dhe të mbështetur në foto dhe në hartën e vjetër të qytetit, duket se rregullat gjuhësore nuk e lejojnë një shndërrim të emrit Salushe ~ Lushnjë. Natyrisht,  debati mbetet  i  hapur. Përpos kësaj ekziston një tjetër gojëdhëne, e cila duket se është  më e pranueshme  nga  këndvështrimi  historik dhe logjika  gjuhësore.  Sipas  saj, "qyteti fillimisht ka qenë i vendosur në kodrën e Vainit pranë Kishës së Madhe të Kuqe". 

            Provat arkeologjike tregojnë për gjurmët e një Bazilike, e cila sipas specialistëve mund të jetë ndërtuar midis shekujve IV-VI m. Kr dhe që  mund t'i ketë shërbyer një komuniteti të vogël banorësh që jetonin në këtu.              Objekti më i hershëm i zbuluar në territorin e qytetit daton në periudhën Eneolitike. (Tab I fig 1). Por ky nuk është i vetmi, të tjerë objekte arkeologjikë janë zbuluara afërsisht në të njëjtin vend dhe i përkasin një periudhe më të vonshme se periudha në fjalë.

            Në vitin 1989 në lagjen "Kadri Qystri", në pronësinë e një pensionisti, gjatë hapjes së një kanali vaditës, u zbuluan gjurmë të kulturës materiale. (Tab I fig 2, 3, 4). Pas kontrollit të bërë nga arkeologët përveç enëve qeramike u bë evidentimi i një varrezë të lashtë. Sipas teknikës së ndërtimit varret ishin të thjesht pa ndonjë konstruksion të veçantë. Varrimi bëhej me vendosje trupi në tokë. Nga sondazhet që u bënë, u pa se inventari i materialit arkeologjik ishte i pasur. U mblodhën fragmente të shumta enësh, si funde skifos, kupash, amforash etj. Këtu u gjetën dhe objekte të plota, dy lekit. Gjetja tjetër është një enë e tipit Gutus (ushqyes për fëmijë) i cili ruhet pothuajse i plotë. Gjithashtu aty u zbulua edhe një terakotë burri e stilit arkaik. Sipas arkeologut  P. Çuko, mendohet se varret i përkasin shek IV-III p. Kr, ndërsa  materiali arkeologjik tregon se është përdorur qeramika e importuar nga Apolonia. Ai arriti në përfundim se varreza i përket "një vendbanimi të hapur ilir".

            Po e vazhdojmë me të tjera dëshmi. Pak më distancë prej këtu në vendin e quajtur "Kodra e Kalifas" në vitin 1988 u zbuluan të tjerë varre antike. Varret për nga mënyra e ndërtimit ishin të tipit të thjeshtë e të zakonshëm, me dysheme të shtruara me tjegulla të tipit solenë (të shtrira), të mbuluar po me tjegulla në formë çatie [tip kapuçino, shënim N. Ferro]. Nga studimi rezultoi se këto varre i përkasin periudhës së Antikitetit Vonë.

            Sakaq në vitin 2003 Instituti i Arkeologjisë me qendër në Tiranë, organizoi një sërvej në kodrën me toponimin "Vain" në Lushnjë. Gjatë kërkimeve aty u zbuluan gjurmët e një bazilike të hershme si dhe mjaft fragmente enësh prej qeramike. Specialistët mendojnë se kjo bazilikë duhet të jetë ndërtuar midis shekujve  IV - VI m. Kr. Në Tab I fig 5, 6 janë ilustruar objektet që i përkasin kësaj periudhe ato janë gjetur në afërsi të Bazilikës.

            Përfundimisht, faktet tregojnë se në Lushnjë ka pasur një bazilikë të hershme. Pra kemi një "vend lutjesh". 

           

Urbanistika dhe arkitektura e banesave të Lushnjës

Dokumenti më i hershëm historik i zbuluar deri më tani, e citon Lushnjën si qendër banimi, që në vitin 1431, kohë në të cilin u bë dhe regjistrimi i dokumentuar i popullsisë së Myzeqesë. "Lušnia"(Lushnja), rezultonte ishte njё katund i vogël, me vetëm 15 shtëpi dhe rreth 100 banore. Sakaq "Lušnia" (Lushnja), citohet përsëri me të njëjtin emër, në një tjetër defter osman që mban datën 1583. Nga burimet historike mësojmë se Lushnja në vitin 1679 kishte 17 shtëpi dhe me një popullsi afërsisht 150 banorë. Fillimi i vitit 1701 e gjen Lushnjën me një popullsi të dyfishuar, por ajo ruante akoma karakterin e një fshati. Midis viteve 1728-1738 mendohet te jete ndërtuar kisha Shën e Premtes. Po në këtë kohë Lushnja përmendet si Çiflig. Në vitin 1744 Lushnja paraqitet si katund me 57 shtëpi dhe rreth 500 banorë. Mund të themi se në këtë periudhë Lushnja morri pamjen e qyteze të vogël ajo kishte një kishë dhe dy rrugë kryesore të shtruara me kalldrëm. Afërsisht në vitin 1770, me nismën dhe mbështetjen e gruas së Ahmet Kurt Pashës, Hanko Pasha, ngrihet xhamia e parë në Lushnjë e cila ka ekzistuar deri në vitin 1967. Lushnja përgjatë gjithë shekullit XVIII fillon të zgjerohet gradualisht dhe të marrë pamjen e një qendre të rëndësishme banimi dhe tregtie.

            Mbështetur në të dhënat arkeologjike, historike por edhe në gojëdhënat e vjetra, zbulojmë se banesat ishin vendosur fillimisht në kodrën e Vain-it, me shtrirje (urbane) që fillonte nga kisha ortodokse tek xhamia e vogël për të ngjitur në brendësi të lagjes Stan, sot "Kongresi". E themi këtë, sepse në këtë pjesë të qytetit të paktën deri në vitet '50 të shek. XX, dëshmohen gjurmë rrugësh të kalldrëmta dhe themelesh shtëpish të vjetra. Megjithatë kjo shtrirje, mund të ketë ndryshuar me kalimin e kohës, banorët të ndikuar më së shumti nga nevoja për toka të reja bujqësore, por edhe nga tërheqja e ujërave të kënetës, çuan në zbritjen graduale të tyre të paktën deri në afërsi të lagjes "Saravë". (Sqarojmë se këneta ishte një burim i rëndësishëm i sigurimit të ushqimit, e pasur me peshq dhe shpend të llojeve të ndryshme). Pra, ky zgjerim mund të ketë ndodhur  në fillim të shek. XVIII.

            Si rezultat i kësaj zbritje graduale të banorëve, ndoshta edhe lagjet e para që u formuan u ngritën përgjatë përroit. Përmendim këtu lagjen "Derrenxhik" (Përroi i vogël), lagjen "Topallti" dhe lagjen "Teqe". Pak më vonë u formua edhe lagjja "Stan" e banuar nga çobanët (vllehët). Mendohet që familjet e çobanëve të jenë vendosur aty në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Sakaq në dokumentet kadastrale përmendet edhe një tjetër territor i mirë banimi me emrin "Mehmet Pasha"(sot lagjja Xhevdet Nepravishta). Thuhet që ky territor ju dhurua djalit të Ahmet Kurt Pashës së Beratit, pra Mehmet Pashës (1780) prej nga mori dhe emrin. 

            Një tjetër argument që na çon në përforcimin e këtij mendimi, pra atë të zbritjes, e cila çoi në formimit e lagjeve të reja, e mbështesim edhe në gjetjet arkeologjike përmendim këtu zbulimin e shumë copëza (ndonjëherë edhe pjesë të plota) të tubacionit të vjetër prej qeramike, që natyrisht ka shërbyer për të sjellë ujë në këto pjesë të qytetit. Tubacioni në fjalë daton në shek. XVIII-XIX. (Një pjesë e tyre sot është i ekspozuar në muzeun historik të Lushnjës).

            Në vitin 1830, Lushnja citohet për herë të parë në Fjalorët enciklopedik evropian. Atu thuhet se "Lušnia" ka 200 shtëpi dhe është e banuar si nga myslimanët ashtu dhe të krishterët. Pra në vetëm një shekull kemi një  trefishim të popullsisë e cila mund të shkonte afërsisht në 1800 banorë. "Qyteza" paraqitej me rrugë me kalldrëm, kishte një kishë, një xhami, një teqe, një vend i mirë dhe dy puse uji për nevojat e vendasve. Numëronte gjithashtu edhe katër varreza të vogla "publike" të vendosur anës kodrave.

                Në vitin 1848 në Lushnjë erdhi poeti dhe piktori i njohur Edwart Lear i cili qëndroi këtu për disa orë, për t'u nisur përsëri drejt Beratit. Ai e përshkruan Lushnjën(Luestrin) një fshat të pajisur me hane për udhëtarët.

            Mësojmë se në vitin 1860 në Lushnjë u hap shkolla e parë, ku përveç mësimit te gjuhës greke, mësohej shqip në mënyre te fshehte. Shkolla në fjale ka qenë afër kishës Shën e Premte. Mësuesit e parë ishin Ndin dhe Gori Ziu, babë e bir, nga Gorreja. Po në vitet 1860-1870 në Lushnjë u hap dhe shkolla Mejtepe (shkolle fillore fetare osmane).             Pas vitit 1870  Lushnja filloj te dallohej si qendër dhe të marrë pamjen e një qyteti. Në këtë periudhë mendohet të jetë ndërtuar teqja e "Baba Skënderit".            Në vitin 1894, Qendra e Kazasë së Myzeqesë (nënprefektura), kaloi nga Karbunara në Lushnjë.

            Pas përshkrimit historik të vendosjes dhe shtrirjes së qytetit, më poshtë po paraqesim edhe një foto të vjetër dhe të rrallë njëkohësisht me pamje nga Lushnja. Foto daton në vitin 1912, ajo është shkrepur në  një kënd që besojmë të jetë marrë nga kodra me toponimin "Harburi", më saktë në anën veriore të Lushnjës. Në foto bie në sy vendosja e banesave tërësisht në kodër.

Pamje nga Lushnja viti 1912

Në sfond dallohen kënaqshëm edhe disa ndërtesa dy katëshe dhe në qendër xhamia e vjetër. Me të drejtë lindin disa pyetje. Si kanë evoluar ndërtimi i banesave ?  Po stili i përdorur ? A  ruhen më shtëpi të vjetra  

            Fillimisht shtëpitë ishin të ndërtuara më së shumti me mure çatma ( baltë dhe kallama), me shtylla dërrase dhe tjegulla. Banesat në fjalë ndaheshin në dy lloje, përdhese dhe dykatëshe. Ky lloj ndërtimi është përdorur të paktën deri në mesin të shek. XX. Për të krijuar një ide më të saktë poshtë po paraqesim një foto të vjetër. Në foto shënohet se kjo shtëpi banimi është ndërtuar në fund të shek. XVIII.   

Shtëpi banimi myzeqare, e ndërtuar me mure çatmaje, dërrasa dhe tjegulla.

 

Fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, solli një koncept të ri në ndërtimin e banesave lushnjare. Këtë herë u përdorën materiale si gurë, tulla, dërrasa, tjegullat dhe hallka hekuri. Mund të themi se sot në të gjithë qytetin e Lushnjës mund të numërohen rreth 20 shtëpi të tilla, të vendosura kryesisht në lagjet "Kongresi", "Xhevdet Nepravishta" "Loni Dhamo" "Skënder Libohova".

Në këtë kontekstë përmendim shtëpinë e  Bozollarëve, Bilbilëve, Fugëve, Gogëve, Gjylëve, Haxhillarëve, Karamëve, Këmborajve, Korreshëve, Krakujve Libohovëve, Papaive, Pietrëve, Resulve, Sefallarëve, Taullenjëve, Xhafallarëve, Zelëve e të tjera. E veçantë paraqitet edhe shtëpia, e cila sot është shpallur muze (Kongresi i Lushnjës). Kjo shtëpi është dykatëshe dhe ka një dhomë të vogël mbi çati e mbiquajtur "Dhoma e Hankove". Nëse do të shpjegonim në mënyrë të përgjithshme në lidhje me  arkitekturën e banesave të ndërtuara në qytetin e Lushnjës, të paktën gjatë dy shekujve të fundit, mund të them se ndikimi i "stilit beratas" ishte mjaft i fortë.

Viti 1927, shënon një tjetër kthesën në urbanistikën e Lushnjës. Bashkia e qytetit e asaj kohe, adoptoi një tjetër stil të ri ndërtimi, madje mund të theksohet si më moderni.[1] Kështu për ndërtimin e godinave shumë funksionale, u aplikua stili italian i kohës, ndikimi i tij shprehet mjaft mirë në ndërtesën e Xhandarmërisë dhe të Nënprefekturës. Nga fotot duket qartë se fasadat e tyre përbëjnë një ansambël arkitektonik mbresëlënës. (Për fat të keq, sot  ato nuk ruhen më). Sipas planit rregullues, edhe forma e qytetit duhej të shtrihej drejt veriut dhe jugut dhe nga lindja drejt perëndimit. Ndërkaq, Lushnja do kishte edhe dy rrugë të gjëra kryesore, me shtrirje veri-jug dhe lindje-perëndim. Kështu nëse do ta krahasonim këtë plan rregullues, mund të themi se ai përshtatet mjaft mirë formës së "kastrumit romak", të përshkruar nga dy rrugë kryesore, "kardo" dhe "dekomano". Të dyja rrugët kryqëzoheshin në një pikë, të qytetit, pikërisht aty ku ishin vendosur institucionet: Bashkia, Nënprefektura Zyrat Telegrafike dhe Tregu (motori i një qyteti).

 

 

Pamje nga Xhandarmëria e Lushnjës        Pamje e Nënprefekturës së                                                                            vjetër e Lushnjës

 

Pamje nga Lushnja viti 1931 (foto A.Q.Sh)​

E thënë më shkoqur plani urbanistik i përzgjedhur nga njerëzit më të ndritur të asaj kohe kishte që në gjenezën e tij frymën evropianizuese për qytetin tonë. Madje ata parashikuan me saktësi formën që do të kishte qyteti sot pas më shumë se 80 vjetëve.  

Vështrim i përgjithshëm të shek. XX

Regjistrimet zyrtare për herë të parë i gjejmë në vitin 1923 ku duke përfshirë dhe zonën e Libofshës, Lushnja ka 28.348 banorë kurse në vitin 1937 territori i Lushnjës ka një sipërfaqe 834 km² dhe një popullsi prej 46.420 banorë.Nga viti 1924-1939 Lushnja pati një shtesë vetëm prej 18.000 banorë. Gjatë këtij 15 vjeçar ne territorin e Lushnjës erdhën rreth 500 familje kosovare që u shpërndanë në 30 fshatra, por edhe nga rrethi i Skraparit, pak familje çamësh e çobanësh. Ardhje që vazhduan edhe në vitet ne vazhdim. Rrethi i Lushnjës kishte 63 çifligje me 11.157 ha tokë. Qyteti i Lushnjës mori pjesë aktive ne Shpalljen e Pavarësisë më 1912. Një moment historik tepër i rëndësishëm është "Kongresi i Lushnjës" që u mbajt në 21-31 janar të vitit 1920 në të cilin Tirana shpallet Kryeqyteti i Shqipërisë. Në 15 gusht 1920 në këtë qytet u mbajt Kongresi i Arsimit. Banorët e Lushnjës morën pjesë aktive ne Luftën Antifashiste –Nacionalçlirimtare dhe në luftën për përmbysjen e sistemit Komunist.

Lushnja dallohet si një nga rrethet me prodhim të rëndësishëm kulturor. Në Lushnjë kanë lindur dhe janë rritur artistikisht shumë personalitete të kulturës shqiptare. Në fushën e dramaturgjisë përmenden veçanërisht dramaturgu Loni Papa, aktorja Margarita Xhepa, si dhe aktori-regjisor, Gjergji Lala(tani gjendet në Itali dhe vazhdon të punojë si aktor; roli i tij i fundit është ai i ambasadorit sovjetik në filmin "Il papa buono". Lushnja është vendlindja e këngëtares më të madhe shqiptare të të gjitha koherave, Vaçe Zela. Në fushën e letërsisë ky qytet zë një nga vendet më të rëndësishme në Shqipëri.

Të përmendur prozatorët Vath Korreshi, Halil Jaçellari e Lazër Radi. Por Lushnja është veçanërisht vendi i poetëve. Kjo trevë vazhdon të jetë një shkollë e vërtetë poezie, duke u nisur nga përkursori i saj, Faslli Haliti, për të arritur tek Visar Zhiti, Fatbardh Rustemi, Bujar Xhaferri, etj.

Brezi më i rëndësishëm i poetëve të sotëm të Lushnjës përfaqësohet nga emra shumë të përmendur shkrimtarësh që janë bërë të njohur e të vlerësuar lart nga kritika jashtë Shqipërisë si : Shpendi Sollaku, Jozef Radi, Gëzim Hajdari në Itali, Ferdinand Laholli në Gjermani, Gazmend Kapllani në Greqi.

 

                                                                          Autor : Niko FERRO



[1] AQSh. fnr 424/1 viti 1929 dnr 70 fleta nr 1,2

Eventet

<shkurt 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
303112345
6789101112
13141516171819
20212223242526
272812345
6789101112

Se shpejti


Buletini Informativ