Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Lajmet > Zhvillohet dëgjesa përmbyllëse për Planifikimin e Përgjithshëm të Territorit të Bashkisë Lushnje

Kategorite

Filtro:

Zhvillohet dëgjesa përmbyllëse për Planifikimin e Përgjithshëm të Territorit të Bashkisë Lushnje

Në ambientet e sallës së Këshillit Bashkiak u realizua dëgjesa e fundit për Planin e Zhvillimit Urbanistik të Bashkisë Lushnje.

Takimin e hapi kryetari i Bashkisë Lushnje z.Fatos Tushe, i cili theksoi në fjalën e tij se ky  plan, vizioni i të cilit mbështetet në potencialin ekonomik dhe pasuritë natyrore që janë në dispozicion, është një plan që i përket së ardhmes.

Njëkohësisht ky plan ka rëndësi kombëtare në planifikimin e territorit dhe mbështetet në vizionin e Bashkisë Lushnje për të ardhmen.

Plani i Përgjithshëm Vendor i Planifikimit të Territorit të Bashkisë Lushnje, me mbështetjen e USAID; Projekti për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore [PLGP], nëpërmjet Co-Plan, Institutit për Zhvillimin e Habitatit, propozon dy kolona zhvillimi:

*Transformimet strategjike që pasqyrojnë Vizionin e Zhvillimit Strategjik të Bashkisë Lushnje


*Platforma e ndërhyrjeve në territor :

Për bashkinë e Lushnjes, Transformimet Strategjike janë:

1. Qendra e re e qytetit dhe Stacioni Multimodal: Kjo do të jetë një hapësirë shumë-funksionale, me intensitet të lartë ndërtimi dhe hapësirë publike të bollshme rreth ndërtesave (shërbime, tregti, banim, qendër biznesi, qendër kulturore e kinema) që ofron tematika për çdo moshë e përdorues. Në zemër të qendrës së re do të jetë stacioni multimodal për transportin publik (urban, ndërurban, ndërqytetës, tren/tram, biçikleta e taksi). Traseja aktuale e hekurudhës do të integrohet në mënyrë të tillë brenda zonës së re që të mos e ndajë atë, pra të mos funksinojnë si një barrierë. Kjo shkon në funksion të idesë se pjesa perëndimore e qytetit është shtrirja e re dhe ardhshme e tij, ndaj traseja e shinave nuk mund te luajë rol ndarës apo të kufirit final. Për të lehtësuar më tej këtë ndërhyrje, stacioni i mallrave do të spostohet në zonën  ku eshte parashikuar ne Planin e pergjithshem Aktual , ne lagjen 18 tetori , me emrtimin kadastarl Karbunare e poshtme.


2. Kodra e Qytetit- Ballkoni i Lushnjes: rigjenerimi i zonës së banimit duke evidentuar vlerat e vendbanimit të vjetër, duke respektuar relievin kodrinor dhe në të njëjtën kohë krijuar hapësirë të mjaftueshme për infrastrukturën e lëvizjes. Kjo hapësirë nevojitet jo vetëm për të lehtësuar qarkullimin ditor e rritur aksesin dhe depërtueshmërinë në zonë, por edhe për të mundësuar mjetet e urgjencës (shëndetësore apo të mbrojtjes nga zjarri) që të ofrojnë ndihmën e tyre në kohë dhe me cilësi. Dikur, kodra kishte një karakter thuajse tërësisht natyror, me ullishta dhe pemëtore, disa grupe të vogla shtëpish të vendosura me kujdes në peizazh dhe pa e shqetësuar atë. Oborret e gjelbra dhe madhësia e banesave krijonin një shkrirje shumë të mirë të elementit urban me atë natyror. Nga çdo pikë e kodrës mund të shihet jo vetëm qyteti, por e gjithë fusha bujqësore, kodra simotër e Ardenicës e pse jo deti i Divjakës në ditë me qiell të pastër.

Gjatë 20 viteve të fundit, kodra është tjetërsuar, duke humbur karakterin natyror në një pjesë të konsiderueshme të saj, si pasojë e ndërtimeve për qëllime banimi. Ndërtimet janë banesa individuale 2-3 kate, me përjashtim të ndërtesave shumëfamiljare, mbi 7 kate në rrugën mbrapa bashkisë. Banesat janë ndërtuar në mungesë të planifikimit dhe për rrjedhojë rrjeti rrugor nuk i ka paraprirë ndërtimit të tyre. Për pasojë, rrjeti rrugor është krijuar nga vetë njerëzit si një hapësirë lëvizjeje, por jo një rrjet i mirëfilltë infrastrukturor, dhe nuk plotëson asnjë kusht teknik, si gjerësia (3-5 metra), shtresat konstruktive të rrugës (shtrat natyror, rrugë e pashtruar dhe me gropa), distanca e ndërtesave (vija e ndërtimit në anë të rrugës), ndriçimi publik (mungon), etj. Pjerrësia e kodrës impakton edhe pjerrësinë e rrugës duke vështirësuar më tej përdorimin e saj, për shkak edhe të hapësirës së pamjaftueshme për kthesat.  

Studimi gjeologjik, gjeologo-inxhinierik dhe i rreziqeve gjeologjike, përcaktojnë edhe përshtatshmërinë për të ndërtuar në zonën kodrinore të qytetit të Lushnjes. Sipas SHGJSH[i], zona kodrinore, në tërësinë e saj (me përjashtim të një pjese të vogël mbi bashkinë) përfshihet në zonën II – me shkëmbinj mesatarë dhe sektorin b – me zhvillim të vogël të fenomeneve të rrezikut gjeologjik. "Ndërtimet që bëhen në këtë sektor për momentin janë të pacënuara, por që, në të ardhmen, si rezultat i prishjes së ekuilibrit të shpatit, apo avancimit të zonave nën erozion, pjesë të këtij sektori mund të konsiderohen si me zhvillim të madh të fenomeneve të rrezikut gjeologjik. Studimet gjeologo – inxhinierike që kryhen për ndërtimet e këtij sektori, përveç vlerësimit të parametrave gjeoteknikë të shtresave të tokës, duhet të japin të dhëna të plota për fenomenet e rrezikut gjeologjik që mund t'i kërcënojnë këto ndërtime, si dhe të rekomandojnë edhe masat mbrojtëse përkatëse, me qëllim eliminimin apo mosaktivizimin e fenomeneve të rrezikut." (SHGJSH 2014). Nisur nga hartat e SHGJSH në disa sektorë të vegjel të kodrës, në pjesën më të sipërme të saj (ku aktualisht janë ullishtat) vërehet edhe fenomeni i rrëshqitjes.

Duke pasur parasysh se në kodër janë kryer aktualisht shumë ndërtime dhe kryesisht informale, atëherë ekuilibri i shpatit mund të jetë tashmë i prekur dhe siguria e ndërtimeve aktuale nuk është e siguruar. Në këtë këndvështrim, çdo kërkesë për ndërtime të reja, pavarësisht funksionit, do të duhej jo vetëm të shoqërohej me një studim të hollësishëm gjeologo-inxhinierik, sipas rekomandimit të SHGJSH, por edhe t`i hapë rrugë studimit tërësor të qëndrueshmërisë së zonës në kushtet e ndërtimit të pakontrolluar. Në studimet e kryera para viteve `90-të, zona përcaktohej si e përshtatshme për të ndërtuar banesa individuale me lartësi jo më tepër se tre kate. Gjithsesi, kjo do të mund të kryhej vetëm pas studimit të hollësishëm gjeologo-inxhinierik, si edhe me një plan urban, i cili përcaktonte shtrirjen e hapësirës publike e rrjetin rrugor dhe garantonte sigurinë e infrastrukturës, e njëkohësisht të ndërtimeve. Sërisht, i kthehemi situatës ekzistuese, ku në kontradiktë me rekomandimin, kjo panoramë nuk ka ndodhur dhe ndërtimet aktuale janë realizuar në mungesë të studimit tërësor të kodrës.

Duke patur parasysh se kodra aktualisht strehon banorë, ka një pozicion strategjik në qytet dhe përbën vlerë për të, bashkia liston si ndërhyrje strategjike studimin urban dhe gjeologo-inxhinierik të saj, përfshirë rrezikun gjeologjik (në shkallë të përshtatshme për caktimin e përshtatshmërisë së ndërtimit në nivel parcele). Ky studim, mund të realizohet përmes punës së ndërthurur të inxhinierëve me planifikuesit dhe arkitektët, ku idetë e dizajnit mund të gjenerohen në konkurs publik, projekti duhet të hartohet në bashkëpunim të ngushtë me banorët dhe pronarët e tokave në zonë, dhe inxhinierët duhet të realizojnë studimin e hollësishëm të përshtatshmërisë për ndërtim.

Në parim, zona do të ruajë karakterin e saj organik, duke respektuar pjerrësinë e terrenit dhe duke e kthyer në tiparin e saj identifikues ndaj pjesës tjetër të qytetit. Gjelbërimi dhe natyra duhet të rikthehen në kodër. Në fakt ullishta në pjesën e sipërme të saj duhet të depërtojë në zonën e ndërtuar përmes mbjelljes së ullinjve në oborre dhe aty ku do të jetë e mundur përgjatë rrjetit rrugor. Propozohet një rrugë e sipërme gjatësore, peizazhistike përgjatë ullishtë e përbri brezit më të lartë të ndërtimeve aktuale. Kjo rrugë do të kufizojë shtrirjen e ndërtimeve në kodër. Duke qenë me kapacitet të kufizuar, ajo nuk fton për ndërtim, përveçse do të vendosen rregulla të rrepta për të mos ndërtuar sipër saj. Ndërtesat ekzistuese mbi rrugën peizazhistike nuk prishen por integrohen me pizazhin ndertimor/natyror të kodrës. Në to nuk lejohet të ndërtohet më tej.

Disa rrugë që nisin nga qendra dhe pjesa fushore dhe përshkojnë tërthor kodrën për të përfunduar në itinerarin peizazhistik, i japin banorëve të kodrës frymëmarrje dhe lidhshmërinë e munguar deri më sot me qytetin.  Këto rrugë kanë dy korsi dhe trotuare, në disa raste edhe korsi të dedikuar për biçikleta të cilat vazhdojnë përgjatë gjithë gjatësisë së kësaj rruge peizazhistike. Lidhjet mes tyre do të realizohen duke respektuar izohipset e kodrës dhe hapësirën mes banesave, për të ulur në maksimum kostot e shpronësimit apo të çdo instrumenti tjetër financiar që mund të përdoret. Në parim të gjitha akset rrugore të propozuara në PPV për kodrën respektojnë itineraret ekzistuese, duke krijuar lidhje aty ku ato mungojnë. Një rrugë, e cila nis nga sheshi Arben Vogli e Dora Distria  shfrytëzon itinerarin ekzistues në kodër e kalon afër banesave të vjetra të saj, do të marrë karakter historik, duke ruajtur përmasat ekzistuese, pajisur me ndriçim publik, u shtruar me kalldrëm dhe përdorur si rrugë kryesisht këmbësore e me qarkullim të kufizuar të automjeteve (vetëm për banorët e rrugizës). Kjo rrugë është pjesë e sistemit këmbësor të hapësirë publike të krijuar nga bashkia e që nis në sheshin para saj dhe depërton drejt kodrës.

Zgjidhjet e tjera të sistemit rrugor dhe ndërtimeve, mund dhe do të kryhen vetëm mbi bazën e studimit të hollësishëm urban, arkitektonik e inxhinierik të përcaktur më sipër, si dhe përmes PDV-së. Në parim, kodra nuk lejon ndërtime më të larta se 3 kate, por sigurisht, vetëm nëse studimi gjeologo-inxhinerik i hollësishëm e konfirmon këtë. Në përfundim, plotësimi i kodrës me një sistem rrugor funksional synon, midis të tjerash, edhe të lehtësojë qarkullimin e përgjithshëm në qytet, i cili aktualisht është ngadalësuar, edhe si pasojë e krijimit të sheshit këmbësor para bashkisë.

3. Bulevardi rekreativ I Përroit: Përroi I Lushnjes është një nga elementët më të rëndësishëm te qytetit të Lushnjes. Ringjallja e potencialit të tij rekreativ është padyshim një vlerë e shtuar për qytetin e Lushnjes. Rigjenerimi I zonës së përroit të qytetit, zonë kjo e cila përfshin jo vetëm trupin ujor por zgjerohet deri në minimum 20 m (zona buferike e trupave ujor), do të përbëjën dhe koridorin më të rëndësishëm të gjelbër për qytetin. Plani parashikon clirimin e kësaj hapësire, sot shpesh të zënë nga ndërtesa, nëpërmjet zgjerimit të hapësirës së gjelbër, ndërtimin e zonave ripariane aty ku janë dëmtuar, mbjelljen e bimëve dekorative të cilat ndryshojnë ngjyrën e qytetit, dhe hapjen e hapësirave të vogla në formën parqeve natyrale. Bulevardi I Përroit kufizohet nga të dyja anët me rrugë të cilat e përshkojnë atë në të gjithë gjatësinë. Rrugët janë përgjithësisht me dy korsi automjetesh, të cilat I shërbejnë jo vetëm banorëve ekzistues, por parashikohet të mbajnë përballojnë dhe rritjen e ardhshme të fluksit të lëvizjes. Në të dyja anët e lumit rrugët janë  të pajisura me korsi bicikletash dhe trotuare të gjera për këmbësorët, të cilat lidhen më tej dhe me itineraret peizazhistike të Bashkisë Lushnje.


4. Hyrja e qytetit:

5. Hapësira sportive: Stadiumi, fusha e sportit, zona e re sportive, disa zona sportive ne oborre shkollash.

5. Lëvizja e gjelbër: rrjeti i biçikletave dhe parqet e zonat e gjelbra në qytet dhe bashki, parqe periferike, liqeni i Thanës, liqeni i Kasharaj dhe destinacionet kulturore/historike, përfshirë Ardenicën.

6. Rrjeti i zonave të dedikuara ekonomike: Plugu me rigjenerimin dhe venien në përdorim të zonës industriale, fabrika e plasmasit, zona logjistike dhe tregu në hyrje të qytetit të Lushnjes.

7. Peizazh për një ekosistem të vetëripërtëritshëm: Krijimi i bazës për ekosistem të vetëripërtëritshëm është çelësi i jetëgjatësisë së zhvillimit në bashki, sidomos në paraprirje të skenareve të ndryshimeve klimatike. Ndërtimi i një matrice natyrore të integruar dhe të lidhur në të gjithë territorin e bashkisë, pavarëisht karakterit të tij, është një ndër transformimet madhore që parashikon Bashkia Lushnje. Ky peizazh zhvillohet fuqishëm në zonën natyrore e kodrinore të Karbunarës, Dushkut, Hysgjokajt, Ballagatit dhe të Kolonjës e Ardenicës, depërton në zonën urbane përmes korridoreve të gjelbra dhe atyre ujore, vijon po përmes korridoreve e ishujve natyrorë në tokë bujqësore dhe kulmon në zonat ripariane të përrenjve, të emisarit dhe mbi të gjitha të lumit Seman ne pjesën më Jugore të Bashkisë Lushnje. Në zonën kodrinore propozohet lidhja e peizazheve të fragmentuara me pyje natyrore ndërsa për lumenjtë duhet të rikrijohet zona ripariane që në mjaft raste është eleminuar në funksion të rritjes së tokës bujqësore. Mirëpo, kjo ka ndikuar në dëmtimin e brigjeve dhe erozionin e tyre, shtimin e sedimenteve dhe dëmtim të tokës bujqësore të krijuar në ish-zonën ripariane. Po ashtu ka ndikuar në derdhjen e drejtpërdrejtë të sasive të mëdha të kimikateve (nutrients) nga toka bujqësore në lumë e për pasojë në akuifer. Në tokë bujqësore, rripat e vegjetacioni buferik (ndaj humbjes së nutrientëve) mund të krijohen përgjatë përrenjve natyrorë (që nëse janë tharë mund të rigjallërohen, ose mund të veprojnë si grumbullues të ujëravë në kohë shirash të rrëmbyeshëm. Po ashtu, mund të krijohen breza/rripa buferikë me vegjetacion edhe në toka ku nuk ka elemente ujore natyrore. Këto luajnë rolin e tarracimeve që sërisht kapin nutrientët (nitrate e fosfate) dhe ulin ndjeshëm sasinë që aktualisht depërton në ujëra nëntokësore.


8. Fasha Emisar: Duhet të krijojmë një projekt që rivitalizon qendrat e fshatrave, mundësisht disa fshatra që janë afër njëri-tjetrit dhe që mund të lidhen përmes atij elementit të genius loci – kanali i vjetër i emisarit. Ideja është që banorët e zonës së fushës, të kenë një hapësirë të hapur publike ku mundë mblidhen e të kalojnë mbasditet e tyre. Kjo hapësirë synon të krijojë një qendërsi të re. Banorët e zonës rurale nuk kanë hapësira socializimi, përveçse disa qendra të vjetra (kryesisht në qendrën e komunës përkatëse) të frekuentuara kryesisht nga burrat. Qendërsia e re publike e sociale, synon të sjellë frekuentues të grupmoshave e gjinive të ndryshme nga e gjithë zona rurale, të cilët aktualisht ose shkojnë deri në Lushnje për të marrë këtë lloj shërbimi, ose thjesht nuk frekuentojnë asnjë hapësirë publike. Fasha Emisar ka shtrirje gjatësore të vendosur në të dyja anët e Emisarit kryesor, është i plotësuar me vegjetacion,  rrugë për bicikleta, sheshe të vogla, ndonjë kafene, kënde lojrash për fëmijë, çiltira për piknik dhe rrugica të vogla me lule që çojnë drejt grupeve të shtëpive të fshatrave përgjatë saj.

9. Qendërsitë e shërbimeve komunitare: qendrat e komunave apo fshatrave kryesore të plotësuara me shkolla, çerdhe e kopshte, qendra shëndetësore dhe sipas rastit edhe zjarrfikësi.

10. Infrastrukturë e re për një mjedis të shëndetshëm: Landfill, compost, impianti i tratjtimit

11. Akses për çdo familje e çdo biznes: mbikalimet e autostradës, nyja e hyrje daljes në hyrje të lushnjes, lidhja e tokave në plug me anën tjetër të autostradës, rrugët e shërbimit.

 

Platforma e ndërhyrjeve në territor: Ndërsa transformimet strategjike të territorit kanë rëndësi dhe efekt katalitik, janë zonat e tjera të territorit ato në të cilat banorët kryejnë aktivitetin e tyre të përditshëm dhe jetojnë. Në përgjithësi këto janë zonat e banimit, të cilat sigurisht akomodojnë edhe një sërë shërbimesh dhe aktivitetesh institucionale e tregtare, përveç banesave. Veç zonave të banimit, janë edhe territoret bujqësore e natyrore, parimi i zhvillimit të të cilave është ruajtja, rehabilitimi dhe përdorimi që mundëson vetëripërtëritje e që i bën ato të qëndrueshme. Plani i Zhvillimit të Territorit ofron një platformë të mënyrës se si duhet të ndërhyet në këto zona në të ardhmen, për të siguruar jetëgjatësinë e qëndrueshmërinë e tyre, përkrah cilësisë.

Nga pikëpamja metodologjike, mënyrat e ndërhyrjeve bazohen në: tipologjinë hapësinore e ndërtimore që kanë aktualisht territoret dhe vendbanimet e ndryshme në bashki; në analizën e strehimit, cilësisë së ndërtesave dhe në projeksionet e popullsisë; në kapacitetin mbajtës që kanë zonat e ndryshme sipas propozimeve për infrastrukturën; në treguesit ekzistues të zhvillimit (intensitet, koefiçientët e shfrytëzimit të tokës për ndërtim, hapësirë publike e rrugë, dendësitë); në hartën e fragmentimit të tokës bujqësore; në analizën e peizazhit natyror dhe fragmentimin e tij; si edhe në interesat e bashkisë e të komunitetit për të intensifikuar zhvillimin e zonave të banimit në të ardhmen.

Si rrjedhojë e sa më sipër, strategjikisht, platforma e bashkisë për mënyrat e ndërhyrjeve në territor bazohet në këto masa:

1) Rritjen e rivlerësimin e hapësirës publike, jo vetëm në qendrat e qytetit e të vendbanimeve, por edhe në zonat e banimit apo të aktiviteteve të tjera. Kjo hapësirë në disa raste përcaktohet në hartë/territor se ku do të ndodhet, siç mund të jenë për shembull transformimet strategjike dhe infrastruktura madhore, e në raste të tjera jepet përmes treguesit Kshp (koefiçienti i shfrytëzimit të tokës për hapësirë publike). Gjithashtu, propozimet për ndërtime të shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave shëndetësore, qendrave kulturore e sociale, janë në funksion të rritjes së hapësirës publike.

2) Plotësimin me rrjet rrugor të niveleve të ndryshme të të gjitha zonave të banuara dhe me aktivitet njerëzor në bashki dhe ristrukturimin e infrastrukturës publike kudo që është e nevojshme për të rritur aksesin, depërtueshmërinë, cilësinë e hapësirës dhe shërbimit dhe lidhshmërinë.

3) Ripërtëritjen e zonave që kanë humbur funksionin apo cilësinë, sikundër edhe rikonceptimin e zonave që kanë premisa për të qenë funksionalisht të arrira, por nuk kanë cilësi të strukturave dhe të hapësirës.

4) Konsolidimin dhe/ose mbushjen e dendësimin e zonave që kanë një karakter e tipologji të caktuar, të cilat vlen të ruhen ose është efikase që të ruhen, por ku nevojitet të përmirësohet infrastruktura dhe hapësira publike.

5) Zhvillimin dhe rizhvillimin me intensitete të larta të zonave ku ka presion zhvillimi, përqendrim të popullsisë dhe aktiviteteve ekonomike, dhe ku propozohet të krijohet hapësirë publike ndërkohë që zona është e ndërtuar dhe shpronësimi nuk është një zgjidhje efiçiente apo e drejtë.

6) Rehabilimin mjedisor dhe sipas rastit historik, të zonave, kryesisht natyrore (por jo vetëm) me qëllim nxjerrjen në pah të vlerave, vënien e tyre në funksion të komunitetit, rritjen e cilësisë së hapësirës dhe mbi të gjitha ruajten e funksioneve të ekosistemit.

7) Konservimin e konsolidimin e tokës bujqësore dhe ekosistemeve natyrore, duke marrë edhe masa për përmirësimin e rigjallërimin e tyre sipas nevojës.

8) Krijimin e një sistemi urbano-bujqësor-natyror, i cili funksion mbi bazën e parimeve të integrimit, plotësueshmërisë, funksionalitetit, vetëripërtëritjes dhe qëndrueshmërisë. Këtë e garanton përmes krijimit të shumë-qendërsive (rrjeti policentrik) dhe ofrimit të mundësisë për të shpërndarë në mënyrë të drejtë fuqinë ekonomike dhe aktivitetin ekonomik në të gjithë territorin.

Në funksion të këtyre masave, platforma e ndërhyrjeve të territorit në bashki përmban sa më poshtë. Sigurisht, detajet e ndërhyrjeve jepen në seksionin e njësive strukturore:

·         Konsolidim të zonës qendrore aktuale dhe krijim të një qendërsie të re që është ajo e stacionit multimodal, aty ku aktualisht ndodhet sot stacioni i trenit. Krijimi i qendërsisë së re, nënkupton rizhvillim dhe ripërtëritje të një zone më të madhe se sa vetë stacioni aktual, të rrethuar nga rrugë ekzistuese, të cilat plani i fuqizon. Qendërsia e re ndodhet përballë asaj ekzistuese dhe lidhen së bashku nga Pavaresia. Zona kufizohet nga Rruga Vath Korreshi, Rruga Ismail Qemali, RRuga Lasgush Poradeci, rruga Sabri Kosturi Në të do të krijohet stacioni multimodal që do të akomodojë të gjitha format e lëvizjes në bashki.

Zona ekzistuese ekonomike dhe e banimit do të rizhvillohet tërësisht duke i lënë vendin një hapësirë shumëfunksionale me ndërtime tregtare, shërbimesh, qendra biznesi, banimi, qendër kulture e kinema, hapësirë publike të hapur dhe të gjelbër me sheshe e kënde lojrash për fëmijë, të një shkalle të pranueshme për sipërfaqen e zonës. Duke qenë se zona aktualisht përshkohet (ndahet në mes) nga hekurudha, do të gjenden zgjidhjet e duhura inxhinierike e arkitektonike, për ta eleminuar si barrierë, ndërkohë që funksionimi i hekurudhës nuk do të ndërpritet. Pavarësisht, perspektivës së hekurudhës në të ardhmen, hapësira e saj, mund të ripërdoret për transport publik dhe kjo do të planifikohet që në këtë fazë të projektit të qendërsisë së re. Zgjidhjet mund të jenë më kalim nëntokësor ose ajror, por pa shqetësuar kompleksin e ri të qendrës.

Projekti për qendrën e re duhet të kalojë në disa faza: konkursi i ideve arkitektonike e të dizajnit urban; studimi i ujërave; studimi inxhinierik; realizimi i PDV-së për trajtimin e marrëdhënieve të pronësisë dhe realizimin e instrumenteve financiare të zhvillimit – zona ka pronësi private në një pjesë të mirë të saj dhe do të duhet të gjenden formulat e duhura të kompensimit të drejtë, mundësisht jo përmes shpronësimit.

·         Ristrukturimi, konsolidimi i karakterit pa dendësim dhe rikonceptimi i kodrës. Kodra paraqet vlera nga ana natyrore dhe pozicionimi i saj në qytet, por është ndërtuar shumë dhe pa planifikim, ndërkohë që territori i saj ka qëndrueshmëri mesatare. Për pasojë, ndërtime të reja, veç ristrukturimit të infrastrukturës dhe rikoncpetimit të hapësirës publike, nuk janë të rekomandueshme deri në një studim të hollësishëm gjeologo-inxhinierik. Në çdo rast, edhe për pozicionin e saj edhe për vlerën në siluetën urbane të qytetit, kodra nuk mund të ketë ndërtime më të larta se 3 kate.  

·         Zhvillimi e rizhvillimi i zonave ekonomike në hyrje e dalje të qytetit, në disa raste edhe me ndërhyrje të rehabilitimit mjedisor (ish-fabrika e plasmasit,ish ndermarja ushqimore  ). Këto janë hapësira ekzistuese tashmë jashtë funksionit ose të lira (tokë bujqësore) por në hyrje të qytetit e pjesërisht me pronësi publike.

·         Përzierje e mënyrave të ndërhyrjeve si rikonceptimi, ristrukturimi, rizhvillimi e në disa raste intensifikimi e konsolidimi në zonat e banimit në pjesën fushore të qytetit. Këtu përfshihet zona urbane ekzistuese e Lushnjes midis  Shetitores Kongresi , dhe rruges Vath Korreshi Në veri kufizohet nga përroi I Lushnjes dhe në jug nga rrugët Sulejman Delvina. Meqenëse janë zona të formuara në karakter, aty nuk parashikohet rizhvillim tërësor, por sipas rastit – pra në njësi strukturore të caktuara, ku intensitetet aktuale janë shumë të ulëta dhe mund të rriten duke densifikuar zonën e njëkohësisht duke krijuar hapësirë publike cilësore për qytetin. Megjithatë, të gjitha këto zona, pavarëisisht mënyrës dominuese të ndërhyrjes, kanë nevojë për ristrukturim të infrastrukturës publike. Në mjaft raste nevojitet rikonceptim të hapësirë publike dhe dizajnit urban pa ndërhyrë në funksionin themelor (banim) por duke e përmirësuar atë dhe plotësuar zonën me shërbime. Aty ku karakteri është me i fortë, atëherë ai konsolidohet ose përmes rikonceptimit ose përmes intensifikimit e mbushjes urbane.

·         Mbushja urbane dhe ristrukturimi e në disa raste rigjenerimi ose rikonceptimi në zonën e banimit përtej stacionit të trenit, shtrirë në perëndim të Ismail Qemali në pjesën fushore të qytetit, ndërtuar informalisht në tokë bujqësore. Këto zona përbëjnë zgjerimin perspektiv të qytetit. Toka bujqësore tashmë është humbur, ndërsa densiteti është ende i ulët dhe lejon për shfrytëzim efiçient të hapësirës. Për këtë qëllim propozohet mbushje urbane. Megjithatë, në disa raste në këto zona ka miks përdorimesh dhe cilësia e strukturave nuk është e mirë, ndaj rigjenerimi është një mënyrë më e përshtatshme e ndërhyrjes, duke lejuar edhe mbushje urbane të planifikuar. Këto raste kanë përgjithësisht nevojë për PDV, ndërsa aty ku mjafton vetëm mbushja, mund të vijohet edhe pa PDV. E megjithatë, në çdo rast, bashkia do të përgatitë së paku plane konceptuale të shtrirjes së infrastrukturës publike, pasi zona nuk është e pajisur mjaftueshëm me rrugë dhe hapësirë publike.

Në këtë zonë kalon edhe përroi i Lushnjes, i cili nga një barrierë fizike aktualisht për zonën dhe lidhjen e saj me qytetin, mund të kthehet në elementin më tërheqës për zonën, dukë ofruar hapësirë publike, vegjetacion, rrugën kryesore që përshon zonën, shëtitore dhe disa hapësira të vogla sociale e kënde lojrash për fëmijë. Në këtë mënyrë, përmes një projekti madhor ripërtëritës dhe rehabilitues nga ana mjedisore, përroi sjell elementin ujor në zonë si integruesin e saj dhe objektin kyç të rritjes së cilësisë së zonë.  

·         Ristrukturim, mbushje e rikonceptim nëpër qendrat e banuara të fshatrave sipas kufijve të vjetër, përfshirë edhe zgjerimet që ata kanë marrë në kufi. Përmendim fshatrat e te gjitha njesve administsrative qendtrat urbane te tyre , të cilët kanë nevojë të konsolidohen dhe të plotësohen me hapësirë publike cilësore e shërbime, në mënyrë që të tërheqin banorët për të ndërtuar banesat e tyre në këto zona të vogla urbane, në vend që të synojnë të fragmentojnë më tej tokën bujqësore. Në të gjitha rastet, nevojiten ndërhyrje infrastrukturore përmirësuese dhe plotësuese.

·         Ripërtëritje të qendrave të disa fshatrave kryesorë që janë edhe qendra të njësive administrative, me qëllim ofrimin e shërbimeve të reja dhe rritjen cilësore të hapësirës publike. Përmendim këtu Krutjen, Allkaj, Bubullimën, Dushkun, Golemin, dhe Hysgjokaj.

·         Ristrukturim dhe mbushje në zonat e ndërtuara e të krijuara rishtazi, që shtrihen përgjatë rrugëve kryesore dhe kanë fragmentuar tokën bujqësore në mbi 30%. Në këto zona është humbur toka bujqësore në rreth 1/3 ose më tepër të parcelës bujqësore (e kufizuar nga infrastruktura tretësore e kullimit dhe vaditjes) dhe qëllimi është që të mos lejohet depërtimi i mëtejshëm i ndërtimit në tokën bujqësore në kufi të pjesës së ndërtuar edhe pse mund të jenë pjesë e të njëjtës parcelë bujqësore. Do të promovohet mbushja e tyre dhe mundësisht ndarja e tokës për qëllime zhvillimi, që banorët e zonave më të thella të synojnë të ndërtojnë në këto hapësira, sikurse dhe në qendra fshatrash, dhe jo në fermën e tyre.

·         Konservim të tokës bujqësore e natyrore e ngrirje të ndërtimeve në këto zona si edhe ato të rrezikuara gjeologjikisht, plus zhvendosje në raste ekstreme. Pavarësisht se një VKM e Ministrisë së Bujqësisë lejon ndërtime për qëllime të aktivitetit bujqësor në tokë bujqësore, plani synon të konservojë në maksimum tokën bujësore. Për shembull promovohet që ndërtimi i stallave dhe magazinave të produktit bujqësor, apo ndërtimeve të tjera bujqësore me themele, përveç serave të lëvizshme, të mos kryhet në toka bujqësore ku fragmentimi është në nivelet 1% ose më pak të parcelës bujqësore, sipas hartës së fragmentimit të tokës bujqësore. Këto toka përbëjnë pjesën më të madhe të tokës bujqësore dhe duhet të ruhen të paprekura nga zhvillime të tjera. Në të njëjtën llogjikë veprohet për tokat natyrore, pyjet, kullotat, ku jo vetëm nuk lejohen ndërtime, por ka programe të shtimit të sipërfaqes pyjore dhe zbutjen e fragmentimit peizazhistik të habitatit. 

·         Ndërtim të rrugëve të reja, pavarësisht nivelit/hierarkisë, me qëllim jo thjesht lehtësimin e trafikut, por edhe lidhjen e të gjitha qendrave e vendbanimeve me njëri-tjetrin dhe krijimin e aksesit për banorët dhe bizneset. Në këtë këndvështrim propozohet edhe krijimi i një itinerari shërbimi në të dyja anët e autostradës në mënyrë të tillë që bizneset e femerët anash saj të mund të depërtojnë në zonën bujqësore (prej nga marrin lëndën e parë), të kapin tregun në lushnje dhe të kalojnë të pashqetësuar në anën tjetër të autostradës (që sot vepron si barrierë fizike e ekonomike). Ky itinerar përdor rrugët ekzistuese bujqësore dhe realizon një zgjerim të lehtë të tyre për arësye qarkullimi, pa hapur akse të reja në tokë bujqësore e duke evituar kështu konvertimin e tokës bujqësore në urbane.

 

 

 

 

  

 



 

Eventet

<mars 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
272812345
6789101112
13141516171819
20212223242526
272829303112
3456
7
e premte, prill 7, 2017
89

Se shpejti


Buletini Informativ