Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Lajmet > Shpallen kuotat financiare për përfitimin e bursave dhe pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar

Kategorite

Filtro:

Shpallen kuotat financiare për përfitimin e bursave dhe pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

V E N D I M

PËR

KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE DHE PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2016-2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, "Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, "Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës", të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, "Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, "Për statusin e invalidit", të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, "Për statusin e jetimit", të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, "Për statusin e të verbrit", të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, "Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik", të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore", të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, "Për buxhetin e vitit 2016", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. 

2. Nxënësit, që ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë, përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:

2.1. Sipas kriterit ekonomik:

a) Nxënësit që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 

b) Nxënësit që banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe akomodohen në konvikte publike.

2.2. Sipas rezultateve të arritura: 

Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta) 

2.3. Jashtë kriterit ekonomik:

a) Nxënësit që kanë përfituar statusin e jetimit;

b) Nxënësit që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;

c) Nxënësit që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;

ç) Nxënësit që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;

d) Nxënësit, fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;

dh) Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;

e) Nxënësit që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;

ë) Nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

Në fillim të çdo viti akademik, por jo më vonë se data 15 dhjetor 2016, për këto kategori nxënësish, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ i Shtetit si dhe institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike duhet të dërgojnë në njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse ku ndjekin studimet  listën e nxënësve përfitues, sipas pikës 2.3, të këtij vendimi.

2.4. Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm, nxënësit që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional: 

a) Në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit; 

b) Me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.

3. Nxënësit e të gjitha kategorive të sipërpërmendura nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur: ​

a) janë ndarë nga trungu familjar; 

b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; 

c) shpallen ngelës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.

4. Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në konsultim me institucionet arsimore, harton planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe arsimit profesional, që ndjekin vitin e parë akademik 2016-2017 dhe ua dërgojnë njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 15 dhjetor 2016. Drejtorët e shkollave profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet me kohë të plotë në vitin e parë shkollor 2016-2017, sipas pikës 2.4 u dërgojnë informacion njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 15 dhjetor 2016.

5. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, me vendim të këshillit të bashkisë miratojnë dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve nga shtresat, kategoritë sociale në nevojë për trajtimin me bursë të plotë. Për kushte ekonomike të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/miratojnë për nxënësit dhe 1/2 (gjysmë) burse. 

5.1. Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, që kanë përfituar bursë në vitin e parë, 2015-2016, dhe që nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.

5.2. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga këshilli i bashkisë, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore. 

5.3. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2016-2017, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve në të cilat janë vendosur nxënësit.

6. Njësitë bazë të qeverisjes vendore detyrimisht duhet t'u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 15 janar 2017, drejtorive të shkollave profesionale për arsimin profesional dhe drejtorive rajonale arsimore, zyrave arsimore, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të raportojnë zyrtarisht pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, çdo 3 muaj, për fondet e shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte e bursa.

7. Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale paraqesin/ dërgojnë, zyrtarisht, në njësitë e qeverisjes vendore, kërkesat për miratimin e bursës për nxënësit që përfitojnë bursë, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi.

Nxënësit, që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë ku ata kanë vendbanimin e përhershëm dhe nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës, e përfitojnë  bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.

8. Gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore nxënësit, që kanë përfituar bursë nga njësia bazë e qeverisjes vendore e përfitojnë atë dhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose kuotës financiare drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit/prindërit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë. Për nxënësit që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2016-2017, drejtorët e shkollave profesionale si dhe shkollave të tjera të arsimit parauniversitar dërgojnë zyrtarisht çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion të detajuar për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë.

9. Nxënësit që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë institucionet shtetërore.

9.1. Nxënësve, që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, të invalidit paraplegjik/tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

9.2. Nxënësit jetimë, që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.

9.3. Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4.

9.4. Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit, me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë, si dhe me libra e fletore, sipas pasqyrës nr.4.

10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.

a) Nxënësve, që përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik, sipas rezultateve të arritura, sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë, si dhe nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, të cilët nuk janë akomoduar në konvikte, u paguhet masa e miratuar e bursës mujore nga njësia e qeverisjes vendore çdo muaj pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues.

b) Njësitë bazë të qeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës për nxënësit përfitues, vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale, konfirmojnë zyrtarisht brenda datës 5 të  çdo muaji pranë njësive të qeverisjes vendore informacionin për ndjekjen/frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë. 

c) Nxënësve, që nuk frekuentojnë mësimin apo nuk ndjekin praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore, u ndërpritet menjëherë bursa.

11. Masa e bursës për nxënësit jepet sipas pasqyrës nr.2, ndërsa kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrës nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi. 

12. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik që ndjekin shkollat profesionale, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri mësimor 2016-2017 jep 2 100 (dy mijë e njëqind) bursa. 

13. Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të gjitha kategoritë e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar, të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, pa u përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri akademik 2016-2017 jep 800 (tetëqind) bursa.

14. Efektet financiare për mbulimin e shpenzimeve për 2 100 bursa kuota ushqimore për vitin shkollor 2016-2017 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitet 2016 dhe 2017. 

15. Efektet financiare për mbulimin e shpenzimeve për 800 (tetëqind) bursa kuota ushqimore për vitin shkollor 2016-2017 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për vitet 2016 dhe 2017. 

16. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore për të gjitha kategoritë e shkollave është data 15 mars 2017. Vendimet e këshillave të njësive të qeverisjes vendore, të miratuara jashtë këtij afati, janë të pavlefshme.

17. Vendimet e njësive bazë të qeverisjes vendore bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit për nxënësit, komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.

18. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njësitë bazë të qeverisjes vendore, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA) si dhe shkollat e arsimit të mesëm profesional për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

 

Eventet

<maj 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
24252627282930
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930311234

Se shpejti


Buletini Informativ