Funksionet e Kryetarit

Sipas nenit 44 të Ligjit Nr. 8652 datë 31.07.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore", kompetencat dhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë janë:

Kryetari i bashkisë:

a) ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të Bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës;

b) zbaton aktet e këshillit;

c) merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin bashkiak, në përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ai vetë;

ç) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të Bashkisë dhe njësive administrative përbërëse, të paktën çdo 6 muaj ose më shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli.

d) raporton para këshillit sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë me funksionet e bashkisë;

dh) është anëtar i këshillit të qarkut;

e) emëron dhe shkarkon zëvendëskryetarin/zëvendëskryetarët e Bashkisë;

ë) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi.

f) emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë jodrejtues të strukturave dhe njësive në varësi të Bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në legjislacionin në fuqi për nëpunësit civilë

g) ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar Bashkisë si person juridik;

gj) merr masa për kualifikimin dhe trajnimin e personelit të administratës, të institucioneve arsimore, sociale, kulturore e sportive;

h) kthen për rishqyrtim jo më shumë se një herë në këshill vendime, kur vëren se ato cenojnë interesa të bashkësisë.

i) miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së Bashkisë dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të Bashkisë;

j) emëron dhe shkarkon administratorët e njësive administrative/lagjeve.